Siri, vijojnë vrasjet e fëmijëve e grave

Nje nga lagjet e bombarduara ne Homs
Forcat e sigurisë në Siri kanë vrarë sot 30 persona, mes të cilëve 17 fëmijë dhe 8 gra. Denoncimi vjen nga komitetet e koordinimit lokal të opozitës, të cilat saktësojnë se bilanci i referohet bombardimit të qytetit al-Latmana, në provincën Hama.
Ndërsa në Kilis, territor turk në kufi me Sirinë, në një kamp refugjatësh dy sirianë dhe një turk kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shkëmbimi zjarri. Lajmin e jep rrjeti televiziv turk,”NTV”. Ndërsa, sipas “France Presse”, turku i plagosur është përkthyes.
I dërguari special i Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Annan, do të zhvillojë nesër një vizitë në kampet e refugjatëve në provincën turke Hatay. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Jashtme turke.
Sipas një raporti të publikuar sot nga Human Rights Watch, forcat e regjimit të presidentit Bashar al Asad kanë ekzekutuar mbi 100 civilë dhe luftëtarë të opozitës, të cilët i kishin kapur gjatë sulmeve të fundit në qytetet siriane.
Në një tentativë për të shuar revoltën, forcat siriane i kanë ekzekutuar këta njerëz me gjakftohtësi dhe pa menduar për fshehjen e përgjegjësive,- thotë Ole Solvang, një prej kërkuesve të Human Rights Watch. / G.N.