Siria. Lavrov e Hague bien dakort për më shumë presion

Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hague dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov kanë rënë dakort që të rrisin presionin ndaj qeverisë siriane për të tërhequr armët nga pjesët e banuara.
Deklaratat vijnë pas masakrës në Houla ku u vranë 108 njerëz.
Duke folur pas bisedimeve të zhvilluara në Moskë, Lavrov tha se hapi më i rëndësishëm është që të zbatohet plani gjashtë-pikësh i të dërguarit ndërkombëtar, Kofi Anan- i cili i kërkon Damaskut që të tërheqë tanket në bazat e tyre.
Lavrov nuk i ka mbështetur thirrjet e Britanisë për dorëheqjen e presidentit Bashar al-Asad, duke thënë se “fundi i dhunës është më i rëndësishëm” sesa fakti “se kush gjendet në pushtet”.
Lavrov bëri thirrje që të gjitha palët t`i japin fund dhunës dhe të fillohet një dialog politik mes regjimit të Asadit dhe opozitës siriane.