E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria nuk është Kosovë

Derisa kongresi i SHBA-ve diskuton intervenimin në Siri, precedenti i NATO-s në fushatën bombarduese në Kosovë në vitin 1999 po citohet si justifi kim për përdorimin e forcës ushtarake kundër qeverisë së Bashar al Assadit”, shkruan në numrin e sotëm të së përditshmes amerikane “New York Times”, James Rubin.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i përgjigjen ushtarakisht përdorimit të armëve kimike për vrasjen e qytetarëve të tij nga Assadi. “Sidoqoftë, sa u përket ligjit dhe politikave, lufta e Kosovës nuk është një precedent për sulme ajrore kundër Sirisë”. “Është e vërtetë që Rusia e Kina kanë qenë kundër rezolutës në Këshillin e Sigurimit për të autorizuar përdorimin e forcës në Kosovë në vitin 1999, dhe ata sot e kundërshtojnë edhe rezolutën për Sirinë. Por deri këtu e ka kjo ngjashmëri”. Ai rikujton diskutimet e hollësishme të ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright me ministrin e Jashtëm rus, Igor Ivanov, “në të cilat ajo ka bërë të ditur nevojën e përdorimit të fuqisë ushtarake për të bindur Slobodan Millosheviqin që të ndalojë masakrimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të pajtohet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”.
“Sot, ndryshe prej asaj kohe, Moska furishëm e kundërshton propozimin amerikan për sulme ajrore kundër Sirisë, bile as që e pranon se Damasku ka përdorur armë kimike dhe raportohet se është duke i ofruar Damaskut informata të rëndësishme sekrete për përgatitjet ushtarake amerikane”.
Qasja amerikane në përgatitjen e politikave ka qenë dukshëm më ndryshe kësaj radhe. Vetëm së fundi Uashingtoni ka filluar një program modest trajnimi për opozitën siriane, që raportohet se ka krijuar disa benefite të kufizuara për forcat opozitare siriane”.
Në rastin e Kosovës, Rubin rikujton se presidenti Bill Clinton e kishte sqaruar nga fillimi se Amerika e ka përgjegjësi që të sigurojë stabilitet në Evropë dhe pengimin e sulmeve gjenocidiale kundër qindra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara, më pas patën avancuar një strategji diplomatike të përkrahur nga forca, duke siguruar përkrahje nga të gjitha vendet evropiane dhe shumica e botës, për të siguruar një paqe të drejtë, në të cilën të drejtat e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të siguruara”.
Duke punuar së bashku me përfaqësuesit e Evropës dhe Rusisë, Shtetet e Bashkuara patën arritur një marrëveshje që shqiptarët e Kosovës patën nënshkruar, kurse Millosheviq e pati refuzuar.
Vetëm atëherë, si mundësi e fundit, kishte nisur fushata ajrore kundër Serbisë.
Kjo strategji ka funksionuar sepse është mbështetur në legjitimitetin e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s që të sigurojë një të ardhme paqësore e demokratike për një rajon që ishte në luftë.
Sot, pas më shumë se një dekade, serbët dhe kosovarët kanë filluar të pajtohen; liderët e Serbisë dhe Kosovës së pavarur, së fundi kanë nënshkruar marrëveshjen për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura, politike dhe ligjore.
“Një rezultat i tillë në Siri është i diskutueshëm”, thuhet në shkrim, duke rikujtuar edhe faktet se “Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë në kundërshtim me Moskën, Këshilli i Sigurimit është i bllokuar, NATO ka mbetur anash dhe Liga Arabe ka qenë joefektive. Nuk ka strategji për të arritur një fundlojë stabile, në të cilën paqeruajtësit do të dërgoheshin dhe rebelët do të çarmatoseshin, dhe premtimi për një konferencë paqësore në Gjenevë është shtyrë pafundësisht”.
Sa i përket ligjit ndërkombëtar, Kosova gjithashtu nuk është një precedent.
“Si zëdhënës i Departamentit të Shtetit në vitin 1999, isha pyetur për një sqarim ligjor të përdorimit të forcës. I irrituar nga ankesat e paqarta të ‘parimeve të ligjit ndërkombëtar’, ne më në fund hartuam një deklaratë, ku shkruam një seri të shkeljeve të rezolutave të Kombeve të Bashkuara nga Serbia, rrezikun e madh për civilët, rrezikun me të cilin përballeshin vendet e NATO-s nga një luftë më e madhe dhe uniteti i Evropës, dhe më pas deklaruam se si rezultat ne kemi besuar se ka arsye substanciale dhe legjitime për veprim ndërkombëtar”. 
Verdikti i historisë për Kosovën ka qenë se ishte rast legjitim, por jo detyrimisht ligjor.
Nëse Amerika e sulmon Sirinë, rasti i Uashingtonit në ligjin ndërkombëtar do të jetë shumë më i dobët sesa e kishte para 14 vjetësh.
“Nuk ka rezolutë të Shteteve të Bashkuara. Një organizatë rajonale si NATO nuk do të përfshihet në sulme ajrore. Dy pjesëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë tërësisht kundër intervenimit. Parlamenti britanik ka votuar që të mos bëhet pjesë”.
“Një votim në Kongres do i krijonte zotit Obama më shumë legjitimitet sa i përket Kushtetutës amerikane dhe do i jepte atij përkrahje politike të brendshme që zoti Clinton asnjëherë nuk e kishte gjatë luftës së Kosovës”.
“Por, për ta fituar atë votim, administrata e Obamës do ta kishte shumë më mirë që të mos e përmendte analogjinë e Kosovës”, shkruan James Rubin.
Ai është i mendimit se Obama duhet të “përqendrohet te çështja e armëve për shkatërrim në masë, me gjithë rastin e Irakut”.
“Duke përdorur armë kimike kundër burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm, zoti Assad ka shkelur një nga ligjet më të vjetra, protokollin e vitit 1925, që e ndalon përdorimin e gazit helmues, të cilin e ka pranuar edhe Siria”.
Dhe megjithëse nuk është e sigurt, sulmet ajrore do të ishin të mjaftueshme që të ndalonin regjimin e Assadit për të përdorur armë kimike sërish.

*James P. Rubin, ka qenë asistent sekretar për çështje publike gjatë administratës së Clintonit, tani është i angazhuar në Institutin Amerikan Rothermere në Universitetin e Oxfordit.
Përktheu: A. Haraçia (“Europa e Lirë”)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›