“Objektivi ynë, 7 milionë turistë e vizitorë në vit”
Sarandë - Berisha inauguron ujësjellësin e Ksamilit
“Sulmet ndaj Kastriot Islamit, të denja vetëm për klikat diktatoriale”
Në vijim të takimeve në jug të vendit, kryeministri Berisha u ndal dje pasdite në Sarandë, ku inauguroi përfundimin e fazës së parë e të dytë të ujësjellësit të Ksamilit. Rëndësia e ujësjellësit, një investim me vlerë rreth 450 milionë lekë, është jo vetëm lokale, pasi i shërben furnizimit me ujë 24 orë në ditë një komuniteti prej 50 mijë banorësh, por edhe banorëve të përkohshëm që e frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit turistik.
Ndërsa e vlerësoi këtë investim tepër të rëndësishëm jo vetëm për përditshmërinë banorëve, por edhe për investitorët në industrinë turistikë, Kryeministri Berisha u shpreh se turizmi përbën potencialin më të jashtëzakonshëm të kësaj zone dhe vendit në tërësi. “Ne jemi ndryshimi, sepse nga viti 2004 gjer më sot, turistët e vizitorët në këtë vend të bekuar u rritën nga 300 mijë që ishin në vitin 2004, në 4.7 milionë në vitin 2012. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është: Shqipëria, 7 milionë turistë e vizitorë në vit. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është të paraqesim para tregut të madh turistik botëror, projektet më të mira për zonat turistike nga Kepi i Stillës, në Shën Jozef në Velipojë. Ne do të kontraktojmë kompanitë më të mëdha, për të hartuar projektet më të bukura. Ne do ta bëjmë bregun shqiptar, bregun më tërheqës në Europë e më gjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që të shtrijmë infrastrukturën moderne në çdo segment të këtij bregu dhe në të gjitha zonat malore të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.
Berisha shpalosi një nga objektivat madhorë për katër vitet e ardhshme, duke garantuar se do të kontraktohen kompanitë më të mëdha të fushës, për të hartuar projektet më të bukura turistike.
Votën e 23 qershorit, tha kryeministri, e kërkojmë për projektet e qeverisë në katër vitet e ardhshme. Ndërsa duke iu referuar alternativës kundërshtare, Berisha tha se Edi Rama është anti-investim; propozon taksën e shkatërrimit të bizneseve dhe paralajmëron rritjen e papunësisë.
Duke komentuar aktet e padenja kundër deputetit Kastriot Islami, Berisha i cilësoi si sjellje që vijnë nga dëshpërimi i Edi Ramës i ndodhur në gjendje të pashpresë. “Jam këtu për t’i kërkuar atij solemnisht: përmbaje dëshpërimin, se akte si ato që organizove ndaj deputetit, ish kryetarit të parë parlamentit pluralist, Kastriot Islamit janë të denja vetëm për klikat diktatoriale më të shpërfytyruara. Tek pa këtë skenë, një ish i përndjekur politik do të më thoshte: një njeriut tim i çoi motra, një pallto të bukur dhe e veshi. Nuk erdhën t’ia rrethonin shtëpinë, por e morën në zyrën e frontit dhe e diskredituan. Ndërsa këtij i rrethuan shtëpinë, ku kishte vajzën, fëmijë të tjerë dhe bashkëshorten, si akti më i dënueshmi dhe i paprecedent në 20 vitet e fundit. I them këtu: mos guxo të përsërisësh akte të tilla, kontrolloje dëshpërimin e madh, megjithëse je tërësisht i pashpresë”, tha kryeministri.