Sistemi i ri, vazhdojnë radhët për certifikatat
Radhëve të gjata pranë sporteleve të gjendjeve civile nuk u erdhi fundi edhe pse tashmë certifikatat janë të kompjuterizuara. Kjo për faktin se punonjësit ende nuk janë mësuar me këtë sistem të ri, por edhe për faktin se për çdo certifikatë verifikohet sërish në regjistrat e vjetër. Çdo banor i kryeqytetit, Paskuqanit dhe Kamzës tashmë pajiset me certifikatë të printuar dhe jo më të plotësuara më dorë. Edhe pse në zyrat e gjendjeve civile të këtyre bashkive ka nisur shpërndarja e certifikatave të kompjuterizuara, radhët vazhdojnë ende. Punonjëset e zyrave të gjendjeve civile e justifikojnë pritjen e qytetarëve nëpër sportele, me faktin se janë ditët e para të punës me procesin e ri për të cilin kërkohet pak eksperiencë. Ndërkohë, qytetarët ankohen sepse tani duhet të presin më shumë se më parë. "Tani presim më shumë se kur certifikatat plotësoheshin me dorë. I vetmi avantazh është se tani janë më të sakta", -sqarojnë qytetarët. Por ende nuk kanë marrë fund as gabimet, sepse ato janë hedhur gabim në sistem dhe duhet që puna të ribëhet nga e para në ato raste ku hasen gabime
27 Gusht 2008