E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazanet e plehrave nuk lahen dhe dezinfektohen asnjëherë



Emanuela Sako

Firmat që ka në lidhur kontratë me Bashkinë e Tiranës për pastrimin e qytetit shkelin kontratën. Kështu, të 6-ta firmat kontraktuese me Bashkinë e Tiranës nuk i lajnë apo dezinfektojnë asnjëherë kontenierët apo (kazanët e plehrave), të cilat mund të bëhen shkak për përhapjen e një sërë infeksionesh. Po të vëresh n të gjitha lagjet e kryeqytetit ku gjenden të vendosura kazanë e plehrave vihet re era e keqe që mbajnë kazanët dhe që përhapet në të gjithë ambientin. Madje një pjesë e qytetarëve, të cilët mbledhin kanoçe nëpër kazanë apo kërkojnë sende të tjera, për t’i shitur apo mbijetuar, janë më të rrezikuar dhe të predispozuar për t’u prekur nga një sërë sëmundjesh. Por, sëmundjet që merren nga papastërtia e madhe janë të gjitha sëmundje ngjitëse, të cilat mund të bëhen shkak për të përhapur ndonjë epidemi.
Përhapja
Gjatë stinës së verës mikrobet dhe ajri i ndotur që mund të thithet nga plehrat e hedhura, janë më të predispozuara për të vepruar dhe për të përhapur një sërë sëmundjesh. Në këtë mënyrë, banorët e kryeqytetit ndihen të rrezikuar nga marrja e infeksioneve të ndryshme. Nëpërmjet ajrit dhe kontakteve të drejtpërdrejta që kanë me njerëzit apo me fëmijët e vegjël. Fëmijët e vegjël janë një kategori tjetër që janë të rrezikuar nga kjo situatë, pasi ata luajnë pranë kontenierëve pa e ditur se çfarë rrezikojnë. Kontrata mes bashkisë dhe firmave private i parashikon të gjitha mënyrat për të pasur një qytet të pastër dhe për mirëmbajtjen e lagjeve të kryeqytetit.
Shërbimet
Firmat kontraktuese me Bashkinë e Tiranës kanë vendosur disa rregulla për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët. Në marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët parashikohet pastrimi 2 apo 3 herë në ditë i kazanëve të plehrave si dhe dezinfektimi i tyre. Por, dezinfektimi i kazanëve duket se nuk bëhet asnjëherë, pasi gjithçka duket nga era e ndotur e kontenierëve. Njëkohësisht, marrëveshja parashikon grumbullimin dhe transportim e mbetjeve urbane dhe tregjeve, fshirje dhe larje të rrugëve dhe trotuareve, larje speciale e rrugëve, pastrim i territoreve urbane me punëtorë dhe fshesë, larje dhe dezinfektim i kontenierëve. Po kështu, parashikohet që të bëhet grumbullimi dhe transportimi i mbetjeve inerte dhe të vëllimshme, mirëmbajtja e vend grumbullimeve të mbetjeve gjatë ditës, si dhe mirëmbajtja e rrugëve kryesore në kryeqytet.

Shërbimet që mbulojnë firmat private kontraktuese:

Grumbullim dhe transportim i mbetjeve urbane dhe tregjeve
Fshirje dhe larje e rrugëve dhe trotuareve
Larje speciale e rrugëve
Pastrim i territoreve urbane me punëtorë dhe fshesë
Larje dhe dezinfektim i kontenierëve
Grumbullim dhe transportim i mbetjeve inerte dhe të vëllimshme
Mirëmbajtje e vend grumbullimeve te mbetjeve gjate ditës
Mirëmbajtje e rrugëve kryesore

Ndërmarrja bashkiake e pastrimit mbulon disa zëra shërbim- pastrimi si më poshtë:

Shërbimin e fshirjes së rrugëve, trotuareve dhe blloqeve të banimit, të cilat nuk përfshihen në kontratat me kompanitë private të pastrimit.
Pastrimin e tregjeve.
Evadimin e mbetjeve inerte voluminoze.
Largimin e karkasave dhe mbetjeve skeletike.
Mbledhjen me dorë të mbeturinave në territoret e banimit apo akse rrugore

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›