E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë me probleme, BSH-ja përgatit rregulloren e re për administrimin e riskut

Bankat detyrohen të mbajnë rezervë valutore në rast “shoku”. Rregullat shtrënguese janë të rrepta edhe për kredimarrësit

Ervin Koçi

Rreziqet gjithmonë në rritje që po i vijnë sistemit bankar në vend si pasojë e rritjes së portofolit të kredidhënies, por dhe të problemeve me klientët e këqij, e kanë detyruar Bankën Qendrore që të përshpejtojë në ashpërsimin e masave mbrojtëse. Për pasojë Banka e Shqipërisë ka nisur që përmirësojë rregulloren për dhënien e kredive duke e forcuar atë më shumë. BSH-ja këtë javë pritet të bëjë disa ndryshime në rregulloren e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe në rregulloret e administrimit të rrezikut të kredisë. Kjo masë e BSH-së është në vijimësi të ndryshimeve të marra më parë nga autoriteti qendror bankar ndaj bankave të nivelit të dytë me qëllim reduktimin e rrezikut që mund t'u vijë bankave nga moskthimi i kredive. Të gjitha bankat detyrohen me ligj që të ruajnë një rezervë të përvitshme të detyrueshme, me qëllim për të përballuar çdo efekt “shok” që mund të vijë nga moskthimi i kredive. Dhe duke qenë se fenomeni i huave të këqija po vjen gjithnjë në rritje në sistemin tonë bankar për shkak të rritjes me ritme shumë të shpejta të dhënies së kredive, BSH-ja është duke e forcuar rregulloren për të rritur rezervën e detyrueshme.

Efekti “shok”

Rritja me ritme të shpejta e kreditimit të ekonomisë me mbi 50 për qind në vit, kërkon më tepër vëmendje nga bankat për shkak se me të njëjtat ritme rriten edhe klientët që nuk mund të kthejnë kredinë. Për të mënjanuar situatat "shok" Banka e Shqipërisë ka vendosur të forcojë rolin e saj, duke krijuar një njësi të specializuar, e cila fokusohet në trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar. Këto masa po merren për shkak se bankat nuk kanë marrë në konsideratë një paralajmërim të bërë nga BSH-ja më parë për rrezikun që mbart kreditimi i lartë i ekonomisë e sidomos ai në valutë. Për këtë qëllim, BSH-ja ka vendosur në kuadrin rregullues mbikëqyrës disa kërkesa të reja, të cilat do të synojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë zbutjen e rreziqeve që mban kredidhënia në valutë, veçanërisht në ato raste kur kredia jepet për huamarrës që nuk gjenerojnë të ardhura në valutë. Për të siguruar fitime të larta, bankat në vendin tonë abuzojnë me dhënien e kredive si në drejtim të normave të larta të interesit, ashtu edhe në drejtim të transparencës.

Transparenca

Dhënia e informacionit të plotë dhe të detajuar për klientët mbetet një nga pikët e dobëta të bankave të nivelit të dytë përsa i përket transparencës me klientin. Duke mos pasur një traditë bankare, shpeshherë klientët mbeten të painformuar për shumë çështje të rëndësishme. Edhe normat e interesit ndonjëherë për klientë të ndryshëm nuk janë të qarta dhe transparente nga ana e bankave private. Në vendet e tjera ka një sistem të fortë rregullash për transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave të klientëve nga ana e bankave. Ndërsa në vendin tonë aktualisht ka me dhjetëra kompani, që tashmë janë në procese gjyqësore më bankat e nivelit të dytë edhe për këtë aspekt të rëndësishëm.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›