Situata ekonomike në Shqipëri ofron klimë të favorshme dhe lehtësuese për investimet e huaja
Berisha takon homologun e tij të Azerbajxhanit z. Artur Rasi-zade, nënshkruhen dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën ekonomike
Në vijim të vizitës së tij në Azerbajxhan, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit z.Artur Rasi-zade, takim i cili vijoi më pas, mes dy delegacioneve përkatëse. Pas takimit, të dy Kryeministrat ishin të pranishëm në nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve, si dhe një Memorandumi Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë. Të dy Kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike, ekonomike e të gjithanshme mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e plotë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok. Kryeministri i Azerbajxhanit z.Artur Rasi-zade e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën dhe shprehu rëndësinë që ka kjo vizitë për të kontribuar pozitivisht në zhvillimet e mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qeverive. Ai theksoi mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha të rëndësishme si; energjia, nafta, turizmi, bujqësia, etj. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, nënvizoi Kryeministri azerbajxhanas, intensifikohet më tej edhe përmes nënshkrimit të 2 marrëveshjeve të rëndësishme që u bënë gjatë kësaj vizite. Të dy kryeministrat vlerësuan edhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik, për të çuar më tej axhendën e bashkëpunimeve në fusha me interes reciprok. Për këtë, do të punohet për të përshpejtuar procesin e përfundimit të kuadrit të plotë ligjor për bashkëpunimin mes dy vendeve. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Artur Rasi-zade diskutuan veçanërisht për mundësitë e nxitjes së bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të investimeve. Kryeministri Berisha, duke e njohur homologun azerbajxhanas me zhvillimet në Shqipëri, nënvizoi se investimet azere janë të mirëpritura në një sërë sektorësh me interes reciprok si; energjetika, turizmi etj dhe se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një klimë sa më të favorshme dhe lehtësuese për investimet e huaja. Ai theksoi se ekonomitë e vendeve tona, si ekonomi të orientuara drejt tregut, ofrojnë shumë mundësi zhvillimi dhe potenciale të jashtëzakonshme. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se nënshkrimi i dy marrëveshjeve përbën një hap të domosdoshëm për të institucionalizuar vullnetin e palëve për një bashkëpunim ekonomik në fusha me interesa të përbashkët. Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka potenciale të vërteta për t’ua ofruar kompanive të Azerbajxhanit, si dhe çdo qytetari të këtij vendi që dëshiron të vizitojë vendin tonë si turist. Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe kryeministri azerbajxhanas shprehën vullnetin dypalësh edhe për zhvillimin më tej të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve përmes shkëmbimeve në fushën e kulturës e arsimit. Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin azerbajxhanas Artur Rasi-zade të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi prej tij.
Me kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Oktay Asadov
Grup parlamentar miqësie Shqipëri-Azerbajxhan
Në vijim të takimeve me personalitetet më të larta në Baku, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentarin, z. Oktay Asadov. Në takim u theksua fryma miqësore e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vullneti i fortë i të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në interesin e përbashkët të të dy vendeve. Kryeparlamentari Asadov vlerësoi si një hap pozitiv në konsolidimin e marrëdhënieve midis dy vendeve edhe ngritjen e grupeve parlamentare të miqësisë. Ai inkurajoi vizitat reciproke për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit e fusha të tjera, të marrëdhënieve kulturore etj. Z. Asadov falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara apo institucione të tjera ndërkombëtare. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që vizitonte Azerbajxhanin, me besimin se kjo vizitë i kontribuon forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri i kushtoi rëndësi e veçantë rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të garantuar suksesin e çdo investitori azer në Shqipëri. Kryeministri theksoi se do të ishte e mirëpritur prezenca e kompanisë shtetërore azere Socar, me investimet e saj në fushën e energjisë dhe naftës, në Shqipëri. Kryeministri Berisha tha se Shqipëria vlerëson gjithashtu kontributin e Azerbajxhanit për stabilitetit e rajonit, sikurse dhe mbështeti integritetin territorial të saj. Bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin se çështjet e rajonit duhet të zgjidhen duke respektuar angazhimet e normat ndërkombëtare. Kryeministri Berisha i shprehu zotit Asadov dëshirën për realizimin sa më të afërt të vizitës së tij në Tiranë.