Topalli: Gjermania, investitorja kryesore në Shqipëri, që nga ambasadat e 2 korrikut

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është pritur në një takim nga Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert, i cili ka deklaruar se rritja ekonomike e Shqipërisë ishte inkurajuese për investimet e huaja”. Ashtu si 20 vjet më parë, Berlini ka konfirmuar se do të mbetet një avokat i fortë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian
Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert priti dje në një takim delegacionin parlamentar shqiptar të kryesuar nga kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli. Kjo vizitë, tha ai, shihet nga ne edhe si prelud me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tuaj, Shqipërisë që përket edhe me 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se ndihej e nderuar, që brenda pak viteve ishte e ftuar për herë të dytë në vizitë zyrtare në Bundestagun gjerman. “Është vizita e dytë zyrtare që bëj këtu me ftesë të Presidentit Lamert. Jam shumë e nderuar që kam ardhur në krye të një delegacioni me deputetë nga mazhoranca dhe opozita. Natyrisht unë gjeta rastin për ta falenderuar personalisht Presidentin Lamert për intensifikimin e raporteve tona midis Bundestagut dhe Parlamentit të Shqipërisë. Gjatë këtyre 20 viteve ne shqiptarët, Gjermaninë e kemi patur si investuesin kryesor në të gjitha termat financiar, ekonomik, diplomatik, politik në zhvillimet e Shqipërisë. Natyrisht folëm për situatën ekonomike në kuadrin e një krize globale, ku të gjitha vendet i kanë sytë nga Gjermania, që ky vend ecën me një optimizëm në të gjitha aspektet jo vetëm ekonomik, por natyrisht, duke u bërë një lider i Evropës, shihet edhe për ndihmë. Shqipëria e sheh Gjermaninë duke kërkuar që të vazhdojë në mënyrë konstante të jetë avokatja e interesave të shqiptarëve. Ambasada gjermane ka qenë e para që, para 20 viteve hapi dyert e saj për shqiptarët si një portë e rëndësishme për të shkuar në Evropë. Dhe sot ne kemi marrëdhënie të intensifikuara, marrëdhënie politike të mira. Në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ne kremtojmë dhe 25 Vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe kjo ftesë e bërë nga Presidenti Lamert, natyrisht ka kuptim edhe më shumë në këtë përvjetor të dyfishtë që kanë Gjermania dhe Shqipëria”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këto kohë krize globale dhe të krizës së eurozonës sytë e Evropës por edhe përtej kufijve europianë janë drejtuar nga Gjermania, si një vend me një zhvillim ekonomik të pandalshëm. Bashkëpunimi politik mes dy qeverive respektive si edhe mes Bundestagut dhe parlamentit shqiptar kanë arritur nivelin më të lartë të këtyre 20 viteve. Rruga jonë e reformave, tha Kryetarja e Kuvendit, nuk ka qenë as e thjeshtë e as e lehtë, e megjithatë ajo ka qenë përherë axhenda parlamentare. Nga ana e tij, z.Lamert përgëzoi Shqipërinë për progresin në synimin dhe perspektivën e saj europiane. “Pavarësisht se sa kohë do të marrë dhe se sa i mundimshëm do të jetë ky proces. Gjermania dhe unë personalisht mbetemi mbështetës të këtij procesi. Sfidat përpara janë të shumta, punët që do të kryhen janë të mëdha, por është inkurajuese që ky vend ecën me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe bën përpjekje të mëdha për të rritur prezencën e investitorëve të huaj në vendin tuaj”- u shpreh Lamert. Për ndër të zonjës Jozefina Topalli dhe delegacionit që e shoqëron atë, Presidenti gjerman i Bundestagut, zoti Lamert shtroi një darkë ku morën pjesë edhe deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare. “Duke parë në krye të parlamentit njerëz që guxojnë dhe tregojnë përgjegjësi ndaj vendit, na bën të shohim me optimizëm të ardhmen e vendit tuaj.
Kjo vizitë tregon interesin tonë. Është e qartë se gjatë 5 - 6 viteve të fundit ne kemi zhvilluar kontekstin e marrëdhënieve midis parlamenteve tona në një nivel të tillë sikur Shqipëria të ishte tashmë në Bashkimin Evropian. Ekziston një ndryshim i rëndësishëm në llojin e bashkëpunimit që ne kemi midis komisioneve, grupeve të miqësisë apo parlamenteve reciproke dhe kjo e bën të qartë se ekziston një perspektive dhe ne po punojmë për ta përmbushur këtë qëllim”- tha Presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert.
Berlin, Topalli fton biznesin gjerman të rrisë prezencën në Shqipëri
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takon Kryetarin e Parlamentit të Landit të Berlinit, Ralf Wieland
Në ditën e dytë të vizitës së saj në Gjermani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
zhvilloi tetë takime të ndryshme. Në njërin prej këtyre takimeve, ajo u prit nga Kryetari i Parlamentit të Landit të Berlinit. Biseda me kryetarin, Ralf Wieland dhe me anëtarët e tjerë të këtij institucioni ishte po ashtu shumë e rëndësishme dhe shume konkrete, e para e këtij lloji në këto 20 vite. Kryeparlamentarja shqiptare, Topalli i foli për Shqipërinë, për bukuritë e saj natyrore, për potencialet dhe resurset e ndryshme pasurore, për mundësitë që ofron për zhvillim biznesesh dhe mundësitë e mëdha konkrete në fushën e energjetikës, infrastrukturës, të bashkëpunimit financiar bashkëpunimit kulturor etj.
Topalli shfrytëzoi rastin për ta ftuar kryepërfaqësuesin e qytetarëve të landit të Berlinit për të ardhur në Shqipëri si i ftuar i veçantë i Kuvendit të Shqipërisë.
Pas takimit, Presidenti i Parlamentit të Landit të Berlinit, Ralf Ëieland dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli për mediat, vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti i Parlamentit të Landit të Berlinit, Ralf Ëieland tha se në takimin me kryeparlamentaren shqiptare, bisedoi për bashkëpunimin më të mirë midis Berlinit dhe Republikës së Shqipërisë. “Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, përmendi përparësitë, anët e forta të ekonomisë së Shqipërisë, dhe si mund të nxitet më shumë bashkëpunimi ekonomik dhe interesi i investitorëve gjermanë për të ardhur në Shqipëri. Unë besoj se fusha të bashkëpunimit mund jenë fusha e turizmit por edhe teknologjia e gjelbër, apo edhe energjia e ripërtëritshme dhe turizmi”- tha kryeparlamentari berlinez, Ralf Wieland.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli vlerësoi se midis Landit të Berlinit dhe Shqipërisë ka mundësi të pafundme, potenciale të jashtëzakonshme bashkëpunimi. “Për mua ishte një nder i veçantë të takoj dhe të uroj për detyrën e re kryetarin e Parlamentit të Landit të Berlinit. Është kontakti i parë që vendoset midis Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Berlinit. Unë e ftova kryetarin e Parlamentit së bashku me parlamentarë të tjerë të këtij Parlamenti, që të vizitojnë Shqipërinë, sepse midis Landit të Berlinit dhe Shqipërisë ka mundësi të pafundme, potenciale të jashtëzakonshme bashkëpunimi, natyrisht me qëllimin për të rritur praninë e bizneseve gjermane në Shqipëri edhe në fusha të tjera. Landi i Berlinit është një ndër landet më të fuqishme në Gjermani dhe bashkëpunimin midis Parlamentit të Berlinit dhe atij shqiptar, unë e konsideroj një ndër boshtet më të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”- tha Topalli.
Ndërkaq, kryeparlamentarja shqiptare vazhdoi vizitën e saj në Berlin me një takim me përfaqësues të bordit drejtues të Dhomës Gjermane të Tregtisë. Në këtë takim merrnin pjesë edhe liderë të kompanive gjermane që janë lojtarë globalë në fushat respektive.
Pas prezantimit që znj. Jozefina Topalli bëri mbi Shqipërinë dhe perspektivën e saj, pjesëmarrësit bënë shumë pyetje mbi mundësitë konkrete, mbi arsyet, mbi klimën atraktive për investime dhe potencialet që ofron Shqipëria. Në fund të muajit maj, u tha në këtë takim, pritet të zhvillohet në Tiranë takimi i Komisionit ekonomik të biznesit gjerman në Tiranë.