Lulzim Basha merr mbështetjen e Emirit të Katarit
Projektet strategjike të Tiranës - Binjakëzimi i Tiranës me Dohan, inkurajuese për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve
Në kuadër të vizitës në Katar, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Emirin e shtetit të Katarit Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani. Emiri i Katarit e uroi Bashën, për marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë për binjakëzimin e Tiranës me Dohan, duke e konsideruar këtë, një shenjë inkurajuese për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Emiri i Katarit Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani u interesua për ecurinë e projekteve të reja strategjike, të lançuara nga Basha.
Kryebashkiaku Basha e ka njohur Emirin e Katarit me këto projekte, duke nisur me atë, për zgjatimin e bulevardit të Tiranës dhe interesin e madh që studiot më të famshme arkitekturore kanë shprehur, për hartimin e projektit të tij. Basha theksoi se më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare për bulevardin e ri të Tiranës. Basha theksoi se një tjetër projekt i rëndësishëm dhe me impakt të madh, në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe zhvillimin e qytetit, është edhe rehabilitimi i lumit të Tiranës. Basha bëri një prezantim edhe të projekteve të tjera, siç është ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimi i terminalit të ri etj.
Emiri i Katarit ka shprehur mbështetjen e tij dhe agjencive të investimeve të Katarit, për zhvillimin e projekteve publike të Bashkisë së Tiranës.
Gjatë takimit, Emiri i Katarit e ka siguruar Bashën se do të angazhojë të gjithë strukturat e specializuara të shtetit të Katarit, për të nxitur dhe inkurajuar kompanitë e njohura të Katarit, për të investuar në Tiranë dhe Shqipëri.
Kryebashkiaku Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me Zëvendëskryeministrin e Katarit Mr. Abdullah Al-Attiyah. Kryebashkiaku i Tiranës e njohu Zëvendëskryeministrin e Katarit me prioritet e punës së tij që janë zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Në këtë kuadër, Basha bëri të ditur, se që në nisje të punës së tij ka ndërmarrë disa hapa, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur punësimin, siç është: heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore, çlirimi nga taksat bashkiake, për një periudhë 4 – vjeçare, për të gjithë kompanitë që punësojnë mbi 50 punonjës etj. Basha theksoi se në Bashkinë e Tiranës, lejet dhe liçencat do të merren në një sportel unik, ndërsa një pjesë e madhe e tyre do të reduktohen.
Zëvendëskryeministri i Katarit Mr. Abdullah Al-Attiyah ka vlerësuar masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, të cilat sipas tij do të inkurajojnë investitorët, për të shtrirë aktivitetin e tyre në Tiranë, ndërsa u angazhua personalisht për të nxitur biznesin e Katarit, të shohë me prioritet Tiranën dhe Shqipërinë, në planet e tyre të biznesit.
Po kështu, Basha e konsideroi mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes për punësimin, marrëveshje e cila i hap rrugë punësimit të qytetarëve shqiptarë në Katar.