KLD miraton dorëheqjen e Spahiut në një mbledhje me dyer të mbyllura

Ministri i Drejtësisë: KLD s’ka kompetenca, për dorëheqjen vendos Kuvendi
Halimi, Topit: Pengove hetimet, po mbron shkelësin e Kushtetutës
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka votuar dje me dyer të mbyllura, dorëheqjen e Kreshnik Spahiut si nënkryetari i këtij institucioni. Anëtarët e KLD-së votuan me 8 vota “pro” dhe 6 vota kundër dorëheqjes së Kreshnik Spahiut, i cili i kalon parlamentit, i cili është organi sovran për të pranuar ose jo dorëheqjen. Më herët, anëtari i KLD-së dhe njëherazi ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi kishte kërkuar rrëzimin e kërkesës së Spahiut, pasi sipas tij, nënkryetari i KLD-së është në proces hetimi nga një komision parlamentar dhe i takon Kuvendit ta trajtojë atë. Por me shumicë votash, KLD pranoi dorëheqjen.
Mbledhja e KLD-së është shoqëruar me debate mes kreut të shtetit dhe njëkohësisht edhe kryetar i KLD-së Bamir Topi dhe ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi në lidhje me dorëheqjen e Kreshnik Spahiut. Ministri Halimi akuzoi kryetarin e KLD-së, Bamir Topi se pengoi hetimet ndaj nënkryetarit, Kreshnik Spahiu, ndërsa duke pranuar dorëheqjen e tij, tentoi të bllokojë hetimet e komisionit hetimor, i cili e akuzon z.Spahiu për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
“KLD nuk ka për detyrë të pranojë dorëheqje. Dorëheqja është çështje e parlamentit. Kreshnik Spahiu, sipas nenit 7, edhe pse ka dhënë dorëheqje do vazhdojë të jetë anëtar i KLD. Është Kuvendi ai që do të vendosë për dorëheqjen e Kreshnik Spahiut dhe emërimin aty të nënkryetarit të ri të KLD-së”, tha Halimi.
Po ashtu, ndaj Kreshnik Spahiut pritet të niset dhe një procedim penal, për refuzimin e bashkëpunimit me Kuvendin. Ndërkaq, KLD vendosi që funksionin e nënkryetarit të KLD-së ta ushtrojë Kryeinspektorja e këtij institucioni.
Kreshnik Spahiu dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të KLD-së vetëm pak ditë më parë, ndërsa deklaroi se do t’i drejtohet me një ankesë Gjykatës Kushtetuese për çështjen e komisionit hetimor dhe nisjes së procedurave për shkarkimin e tij.