E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seancën e fundit të komisionit hetimor, Bamir Topi dorëzon provat e Spahiut

14-02-2012 / Gazeta 55

Komisioni hetimor nuk miraton raportin, shtyn afatet e hetimeve


Alibeaj: Kreshnik Spahiu shkeli Kushtetutën, hetimet do shkojnë deri në fund   Në seancën e


fundit të komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, kur pritej të miratohej raporti përfundimtar, i cili do t’i kalonte më pas seancës plenare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë iu përgjigj kërkesave të komisionit. Nga ky fakt i papritur, pra i mbërritjes së provave në dispozicion të komisionit hetimor, kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj kërkoi dje shtyrjen e hetimeve, ndërsa do të jetë seanca plenare ajo që do të përcaktojë dhe afatin e saktë të shtyrjes së veprimtarisë së komisionit. Në nisje të mbledhjes, Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se mesditën e djeshme, në orën 14 e 10 minuta janë depozituar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Protokollin e Kuvendit, të gjitha materialet e kërkuara nga Komisioni për mbarëvajtjen e hetimeve ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Komisioni propozoi që të kërkojë nga Kryetari i KLD-së që të vërë në dispozicion materialet e tjera administrativo-financiare. Gjithashtu, do të kërkohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit një fotokopje e materialeve të mbledhura nga KLD-ja, në mënyrë që të përshpejtohet shqyrtimi i të gjithë materialeve dhe të ri-përpilohet raporti përfundimtar. Po ashtu, Komisioni do të caktojë një afat një-javor për KLD-në që të vërë në dispozicion dhe pasqyrën financiare, në mënyrë që ajo të mos dorëzohet në ditën e fundit, siç ndodhi në mbledhjen e ditës së djeshme. Javën e kaluar, kreu demokrat i komisionit hetimor për shkarkimin e Spahiut, Enkelejd Alibeaj deklaroi se në raportin që do miratohet në Kuvend, do t’i rekomandohet Prokurorisë së Përgjithshme dhe nisja e një procesi penal ndaj Spahiut. Për Alibeajn, Kreshnik Spahiu ka shkelë ligjin dhe Kushtetutën në ushtrimin e veprimtarive politike, gjatë ushtrimit të detyrës Kushtetuese. Po ashtu, Spahiu ka konsumuar vepër penale, duke refuzuar bashkëpunimin me komisionin hetimor, bashkëpunim i cili siç edhe mësohet, ka ndodhur dje, në seancën e fundit të komisionit, kur edhe do të miratohej raporti përfundimtar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›