E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në Gjirokastër, Ksera e Ruli takojnë vendorët

Viti më i vështirë sa i përket kushteve të motit nuk është 2012-ta, por situata në 2005-ën. Kështu ka deklaruar ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, gjatë takimit me shtabin e emergjencave civile në Gjirokastër, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. Ksera u shpreh se 7 vite më parë zjarret dhe përmbytjet në rajonin jugor kanë krijuar më shumë probleme se aktualisht, ndaj sipas tij nuk i ka munguar bashkëpunimi në kapërcimin e situatave të tilla.
Nga ana tjetër kryetarët e komunave, Antigonë dhe Buz, kanë ngritur me shqetësim problemet që lidhen me mungesën e energjise elektrike. Në komunën Buz, energjia mungon prej 8 ditësh, ndaj sipas kreut të kësaj komune këtu mungesa e energjise nuk mund të justifikohet me bllokimin e rrugëve nga dëbora, por është thjesht me neglizhencën e punonjësve të saj. E organizuar në mjediset e institucionit të prefektit kjo mbledhje synonte evidentimin e zonave me probleme në kushtet ekstreme të motit që ka përfshirë krejt vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›