SHBA do të vazhdojë shitjen e armëve në Bahrejn
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vazhdojnë tregtinë e shitjes së armëve në Bahrejn, përkundër shqetësimeve lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, tha se Uashingtoni ende ka shqetësim për “ushtrimin e dhunës dhe gazit lotsjellës nga policia” në Bahrejn.
Sipas saj, asnjëri nga artikujt që Uashingtoni do të dërgojë në Bahrejn, nuk mund “të përdoret për kontroll të masës”.
Prej vitit të kaluar në Bahrejn janë mbajtur protesta nga ana e shumicës shiite myslimane, e cila kërkon më tepër të drejta nga familja mbretërore sunite.
Qeveria i ka goditur protestat dhe i ka dënuar punëtorët mjekësorë, që janë kujdesur për të plagosurit.
Bahrejni është aleat kryesor ushtarak i Shteteve të Bashkuara.
Në këtë vend është e vendosur Flota e Pestë e Marinës amerikane.