E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në Libi, takohen Obama dhe Ban Ki Moon

Presidenti Barack Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për situatën në Libi.
Takimi u zhvillua kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësi shtesë për t`u përballur me gjakderdhjen në Libi, ku forcat ushtarake besnike ndaj udhëheqësit Moamer Gadafi po luftojnë me opozitën.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përpjekje të afrohen me pjesëtarët e opozitës libiane, të cilët po punojnë për të formuar një qeveri që respekton të drejtat e njeriut dhe i plotëson aspiratat e popullit të Libisë. Ai i quajti të parakohshme spekulimet në lidhje me njohjen zyrtare të ndonjë fraksioni të caktuar të opozitës.

Kur u pyet për mundësinë që Moamer Gadafi të largohej nga vendi, zoti Carney theksoi se kjo
është një alternativë e shpejtë dhe do të përputhej me dëshirën e SHBA-së që Gadafi të dorëzojë pushtetin. “Ne jemi më të interesuar që të përfundojë trajtimi që i bën popullit, që të marrë fund dhuna kundër popullit të Libisë. Dhe në qoftë se largimi nga vendi është një mundësi e shpejtë për t’i dhënë fund dhunës, ne do ta mbështesnim atë. Por megjithatë, Gadafi dhe të tjerët do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre” theksoi Carney.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk japin shpjegime se si mund të ndodhë kjo, se me kë mund ta ketë biseduar këtë alternativë presidenti Obama ose se ku do mund të shkonte zoti Gadafi.

Zoti Carney tha se Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare nuk po përpiqen të arsyetojnë me udhëheqësin libian më shumë sesa ta bëjë të qartë për atë dhe njerëzit që ka përreth se cilat janë rrugëdaljet e tyre përballë opozitës së bashkuar ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›