E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në Mitrovicë më e qetë, por jo edhe e qëndrueshme

Përfaqësuesit e strukturave komunale dhe atyre të sigurisë, vlerësuan sot në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, se situata gjatë javëve të fundit është më e qetë, por jo edhe e qëndrueshme.

Shpërthimet që kanë pasur për cak stacionin e policisë në Leposaviq dhe atë në Zveçan, kanë qenë incidentet që e kanë prishur imazhin e qetë të situatës gjatë javës së fundit në veri të vendit.

Kështu u vlerësua sot në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se sulmet ndaj organeve të rendit janë shqetësuese.

“Gjatë javës së kaluar mund ta quajmë se kemi pasur një situatë të qetë, por jo situatë të qëndrueshme, për arsye se dhe gjatë kësaj jave kemi pasur një shpërthim në stacioni e policisë në Leposaviq, ku ky shpërthim është shqetësues”, tha Bala.

Në takim u fol edhe per masat që janë ndërmarrë për menaxhimin e situatës gjatë kësaj kohe sa po vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se gjatë javës ka zhvilluar një vizitë në veri ku është takuar me qytetarë të shumtë të të gjitha komuniteteve.

“Ne gjatë javës së kaluar t’u e ditur rëndësinë e bisedave që po zhvilloheshin në mes të dy kryeministrave edhe pritjes së rezultateve të bisedave me vetë iniciativë kam marrë një veprim që kam pasur dëshirë me i kontaku qytetarët në pjesën veriore me qëllim që t’i informoj se duhet të jenë të qetë”, tha Kastrati.

Në këtë takim u shtrua nevoja për shtimin e kontakteve me qytetarët që jetojnë në veri, në mënyrë që ata të jenë në dijeni për të gjitha zhvillimet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›