Takohen sërish Mustafa e Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me bashkëpunëtorë, priti sot në selinë e LDK-së liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e tij, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Në këtë takim është biseduar lidhur me dialogun që po zhvillon Qeveria e Republikës së Kosovës me Qeverinë e Serbisë, për zhvillimet e tjera politike në vend, si dhe për mundësinë e bashkërenditjes së veprimeve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me çështje të caktuara.
Kryetari i LDK-së dhe ai i “Vetëvendosjes” paraqitën qëndrimet e subjekteve politike që drejtojnë lidhur me dialogun. Mustafa dhe Kurti u pajtuan që grupet parlamentare të shikojnë mundësinë për të bashkëpunuar në Kuvendin e Kosovës në çështjet në të cilat këto dy subjekte kanë qëndrime të përafërta”, thuhet në njoftim./Indeksonline/