Situata në grupin 1, të gjithë skenarët e mundshëmSituata tejet e komplikuar për dy vendet e para në grupin tonë. Tre ekipe pretendojne: Danimarka, Suedia, Portugalia

Publikoje ne:
Situata tejet e komplikuar për dy vendet e para në grupin tonë, atë 1, të parin që kualifikohet direkt për në Botëror dhe të dytin që të çon në play-of, si një mundësi e dytë për të shkuar në Afrikën e Jugut, është në qendër të medias sportive ndërkombëtare, që ka ndërtuar edhe skenarët e mundshëm pas ndeshjeve të fundit, ato të 14 tetorit.
DANIMARKA (18 pike)- Kryesuesja e grupit la dy pikë të çmuara në Tiranë në barazimin 1-1 me Shqipërinë, duke reduktuar në tri pikë diferencën me Suedinë e vendit të dytë, me të cilën do të përballet direkt për “jetë a vdekje”, më 10 tetor. Një fitore me suedezët do të thotë kualifikim direkt për danezët. Më 14 tetor, Danimarka pret Hungarinë në shansin e fundit. Trajneri Morten Olsen i ka shanset në dorën e tij.
SUEDIA (15 pike)- Fitorja e vështirë në Maltë, 0-1, falë një autogoli të Azopardit nëntë minuta nga përfundimi i ndeshjes, i dha tri pikë me shumë vlerë Zlatan Ibrahimoviçit me shokë dhe shkurtoi në tri pikë diferencën me Danimarkën. Superdueli i 10 tetorit i super-yllit Ibrahimoviç me shokë kundër danezëve do të thojë shumë përpara se suedezët të përballen me Shqipërinë, më 14 tetor në ndeshjen e fundit të tyre. Gjithsesi, shanset mbeten të hapur për Suedinë e Lars Lagerbakut, si për vendin e parë ashtu dhe për të dytin.
PORTUGALIA (13 pike)- – Tashmë në vendin e tretë, falë fitores me rivalen direkte, Hungarinë, në Budapest, Portugalia “lufton” me Danimarkën e Suedinë për një nga dy vendet e para. Dy ndeshjet e fundit për Kristiano Ronaldon e kompani janë me Hungarinë (në Portugali) dhe me Maltën, po në shtëpi. Fati i Portugalisë varet shumë nga rezultati në ndeshjen Danimarkë-Suedi, por edhe nga Suedi-Shqipëri.
HUNGARIA (13 pike)-– Ka në kalendar dy ndeshje të vështira. Luan kundër Portugalisë e Danimarkës, por nuk e ka më atë statusin që gëzonte në gjashtë ndeshjet e para, pasi ka humbur në shtëpi dy takimet e fundit me rivalët direkt, si me Suedinë (1-2) ashtu dhe me Portugalinë (0-1). Shumë pak shpresa për të.
SHQIPËRI-MALTË – Dy ekipet tashmë i kanë fiksuar vendet pesë dhe gjashtë në renditje, dhe nuk kanë asnjë shans në përmirësimin e renditjes. Shqipëria ka në dispozicion një ndeshje në Suedi, ndërkohë që Malta do të luajë në Portugali.
NDESHJET E MBETURA
10.10.2009
Danimarkë-Suedi
Portugali-Hungari
14.10.2009
Suedi-Shqipëri
Portugali-Maltë
Danimarkë-Hungari
RENDITJA
1.Danimarka 18 pikë
2.Suedia 15 pikë
3.Portugalia 13 pikë
4.Hungaria 13 pikë
5.Shqipëria 7 pikë
6.Malta 1 pikë
E Enjte, 10 Shtator 2009