Situata në moment kritik, kërkohet ndihma e NATO-s
08/01/2010 Priten ndihma nga vendet e aleancës. Evakuohen 3407 persona
TIRANE- Situata kritike që është krijuar nga niveli i madh i ujit në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës, ka detyruar Komitetin Ndërministror të shpallë zonën tepër të rrezikshme, si dhe të kërkojë ndihmë pranë zyrës së Aleancës së Atlantikut Verior NATO. Nëpërmjet kërkesës autoritetet shqiptare kërkojnë nga vendet anëtare, ndihma që kryesisht janë: veshmbathje, ushqime, ilaçe, çadra për kamping, motobarka për evakuimin e banorëve, si dhe disa materiale të tjera. Kjo kërkesë është marrë seriozisht nga specialistët e Qendrës Operacionale të Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive e NATO-s, të cilët u kanë komunikuar të 28 anëtarëve të organizatës situatën dhe nevojën për ndihmë të Shqipërisë. Aktualisht përgjatë ditës së djeshme asnjë shtet nuk është treguar i gatshëm për të ofruar ndihma, por pritet që kjo gjë të ndodhë në ditët në vazhdim. Ndërkohë që kërkesës për ndihmë i është përgjigjur Bashkia e Gjakovës në Republikën e Kosovës, e cila ka dërguar një grup njerëzish në zonat e përmbytura si dhe vetë shteti kosovar, që ka urdhëruar rreth 17 trupa ushtarake për marrjen pjesë në këtë operacion humanitar. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme garantojnë se për t’i bërë ballë kësaj situate, në ditët në vazhdim do të vijnë ndihma nga disa vende të Evropës si dhe Aleancës së Atlantikut Verior NATO. Aktualisht është marrë vendimi që në zonat e rrezikuara të mos lejohet futja e personave që nuk kanë leje të posaçme nga strukturat ushtarake, të cilat kontrollojnë këto zona. Ndërkaq rreh 500 trupa ushtarake si dhe efektivë të policisë, kanë vazhduar për gjatë gjithë orëve të ditës dhe natës evakuimin e banorëve, që ndihen më të kërcënuar nga rritja e nivelit të ujit. Kështu evakuime masive po kryhen në fshatra të komunës Gur i Zi dhe në komunën Dajç, ku janë vënë në dispozicion 15 mjete të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më tani janë evakuar nga zonat e prekura nga përmbytja rreth 3407 persona në total. Ministri i Brendshëm, Basha, ministri i Mbrojtjes, Imami, dhe anëtarët e komitetit ndërministror vijojnë të jenë në terren në kontroll të situatës dhe për koordinimin e veprimeve të këtij operacioni. Në takimin e pasdites të Komisionit të Emergjencës Civile u përcaktuan edhe disa detyra të tjera në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të plotë të situatës. Konkretisht u vendos kufizimi i rrugëve me shirita tregues për zonat e përmbytura, vazhdimi i punimeve me mjete të rënda për forcimin e argjinaturave të Dajçit dhe Çasit (Velipojë) si dhe kontrollimin dhe monitorimin, me praninë e ushtrisë, policisë dhe të FNSH-së, të zonave të përmbytura, me qëllim evitimin e grabitjeve që mund të ndodhin në zonë. Gjithashtu anëtarët e Komisionit të Emergjencave Civile vendosën krijimin e hallkave të ndërlidhjes me përfaqësues nga të gjitha njësitë vendore të rrezikuara, të prefektit, të policisë dhe të ushtrisë, të cilët në bashkëveprim me njëri-tjetrin do të organizojnë operacionet e evakuimit në të gjitha zonat problematike.
Tabela 1
1 Bashkia Shkodër 230 ha 83 320
2 Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
3 Komuna Ana Malit 1170 ha 200 170
Tabela 2
1 Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
2 Komuna Bërdicë 1700 ha 350 65
3 Komuna Guri Zi 250 ha 689 200
Tabela 3
1 Komuna Bushat 1300 ha 50 80
2 Komuna Qendër 500 ha 10 8
3 Gjithsej 9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi
Ushtria shton trupat, nxjerr në fluturim edhe 3 helikopterë
Ministria fton njerëzit për kontribut vullnetar
Mijëra banorë në qiell të hapur, pa rroba e ushqime
TIRANE- Situata tej e rënduar e ardhur si pasojë e përmbytjeve, aktualisht ka lënë në qiell të hapur, pa rroba dhe ushqime më shumë se 3407 persona. Këta banorë kanë lënë nën ujë të gjithë pasurinë e tyre, dhe për të ardhur në ndihmë të tyre Ministria e Brendshme ka hapur llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë. Sipas anëtarëve të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, kjo nismë është marrë në kuadër të menaxhimit dhe riaftësimit të situatës së krijuar nga përmbytjet në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Ata informojnë opinionin publik se çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, që dëshiron të kontribuojë financiarisht për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve në qarqet Shkodër dhe Lezhë, mund të derdhë kontributin përkatës në llogarinë speciale të çelur në të gjitha bankat e nivelit të dytë, që kryejnë shërbime ndaj buxhetit të shtetit me emërtimin “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”. Ky kontribut sipas specialistëve mund të derdhet në lekë, euro, ose dollarë. Niveli i lartë i ujit ka shkatërruar të mbjellat dhe pjesërisht shtëpitë e banorëve të Shkodrës dhe Lezhës, do sjellë një faturë financiare tepër të kripur për buxhetin e shtetit. Aktualisht Drejtoria e Policisë së qarkut Shkodër ka kaluar në gatishmëri maksimale, me qëllim marrjen e masave për ruajtjen e banesave nga grabitjet si dhe ruajtjen e qetësisë publike në qytetin e Shkodrës. Janë shtuar trupa të reja në zonën e operacionit, me 300 persona si dhe janë shtuar mjete të transportit 20 të tjera. Gjithashtu janë dërguar 8 varka me motor, si dhe janë nisur për në operacion 3 helikopterë BO-105.