Mesic në Kosovë, merr medaljen e Pavarësisë
PRISHTINE- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka dekoruar sot presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesic me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, në një ceremoni organizuar në kabinetin e presidentit Sejdiu. Duke dorëzuar dekoratën, presidenti Sejdiu theksoi se presidenti Mesic ka qenë gjithmonë përkrahës i synimeve legjitime të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Si president i fundit i ish-federatës jugosllave, në kohën kur Serbia e Milosevicit e kishte institucionalizuar dhunën brutale kundër shqiptarëve në Kosovë, Stjepan Mesic, si rrallëkush asokohe, mbrojti pa asnjë hezitim të drejtën tonë për vetëqeverisje dhe mëvetësi. Që nga ajo kohë, presidenti Mesic e ka përkrahur Kosovën fuqishëm në të gjitha institucionet dhe forumet ndërkombëtare, në të cilat është folur për vendin tonë. Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stipe Mesic, në një fjalë të shkurtër, theksoi ndihmën dhe përkrahjen në vazhdimësi të tij dhe të Kroacisë për Republikën e Kosovës, duke dhënë kështu një kontribut të çmueshëm për stabilitetin e gjithë rajonit. Duke falënderuar për dekoratën e dhënë nga presidenti Sejdiu, presidenti Mesic tha se ka marrë shumë dekorata në këto dhjetë vjet sa ishte kryetar i Kroacisë, porse dekorata e dhënë nga Presidenti i Kosovës, si dekorata më e lartë e shtetit më të ri në botë, do të jetë për të e dashur dhe e veçantë. Mesic gjithashtu mori pjesë edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, ku u shpall edhe "Qytetar Nderi i Prishtinës".(m.a/telegraf/BalkanWeb)