E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ne veri Rasmussen KFOR do te reagoje nese cenohet siguria

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike Andreas Fogh Rassmussen deklaroi në Prishtinë se NATO do të reagojë dhe do të veprojë në vetëmbrojtje nëse vihet në rrezik paqja dhe siguria në Kosovë. Paralajmërimi nga numri një i NATO-s vjen një ditë para fillimit të zbatimit të planit operacional të qeverisë për veriun që parashikon vendosjen e policisë kufitare dhe doganierëve kosovar në veri, që po kundërshtohet me forcë dhe barrikada në rrugë nga serbët e veriut. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmusen i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të vazhdojnë bisedimet, por njëkohësisht të tregojnë kujdes dhe maturi në ditët e ardhshme.

“Marrëveshjet janë një shembull i mirë që dialogu të mos vihet në pikëpyetje dhe që të vazhdohet me konsultime dhe jo me konfrontime. Lëvizje e njëanshme nuk janë të mirëseardhura dhe unë shpresoj të shoh një kujdes të veçantë gjatë ditëve të ardhshme në veprime nga të gjitha komunitetet”- tha Rasmussen.

Rassmussen paralajmëroi se nuk do të ketë kthim prapa dhe se nuk do të lejojë askënd që ta rrezikojë paqen e arritur. Por ai nuk komentoi se cili do të jetë plani i KFOR-it për ditën e nesërme kur fillon të zbatohet plani i qeverisë për veriun. Ndërkaq kryeministri kosovar, Hashim Thaçi tha se qeveria është shumë e vendosur për të zbatuar planin për marrjen e plotë nën kontroll të pikave 1 dhe 31.

 “Është në mandatin e KFOR-it që të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe kjo nënkupton që KFOR-i duhet të ndërmarrë veprime nëse siguria rrezikohet. Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë, për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”- tha Rasmussen.

“Në veri nuk ka ende drejtësi, nuk ka ende rend dhe ligj. Ne nuk do të zmbrapsemi nga strukturat kriminale dhe ilegale që mbajnë peng rreth 40 mijë qytetarë serbë në veri. Angazhimet tona janë që të ofrojmë shërbvim të gjithë qytetarëve, që t’i lirohen nga ky panik, frikë dhe kërcënim nga strukturat kriminale në mënyrë që atje të ketë rend dhe ligj, jetë demokratike, integrim në instuticonet e Kosovës dhe që qytetarët t’i zgjedhin njerëzit e tyre për t’i udhëhequr në mënyrë që ne të investojmë në të gjitha aspektet dhe të ndryshojmë jetën për të mirë“ Kam besim të plotës e i gjithë plani operacional do të zbatohet në përpikëri”- tha Thaçi.

Një ditë para zbatimit të planit për veriun strukturat paralele kanë bllokuar urën kryesore mbi lumin Ibër duke hedhur mbi katër maune zhavorr mbi të. Situata në veri vazhdon të jetë shumë e rëndë ndërsa tensionet shumë të mëdha.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›