E Diel, 1 Nëntor 2026

Teliti: Vendimi i Kushtetueses për kombësinë nuk ka lidhje me Censusin, regjistrimi do kryhet dhe të dhënat do shërbejnë për statistikë

18-09-2011 / Gazeta 55

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti ka hedhur poshtë çdo deklarim apo qëndrim që e lidh Censusin me të dhënat që pasqyroheshin në regjistrin e Gjendjes Civile. Një reagim që vjen pas një vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese e cila ka hequr termin kombësi nga ligji për Gjendjen Civile. Teliti sqaron se kjo nuk prek aspak Censusin, apo procesin për regjistrimin e popullsisë, i cili thjeshtë do të shërbejë për të dhëna statistikore. “Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me Censusin ose regjistrimin e popullsisë, të dhënat e të cilit do te jenë tërësisht në dispozicion të INSTAT, për qëllime statistikore, studimore dhe politika të zhvillimit. Të dhënat e Censusit nuk janë në asnjë rast pjesë e të dhënave të regjistrit të Gjendjes Civile. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese shtrin në ligjin e Gjendjes Civile, vendimin e Qeverisë për heqjen nga certifikatat e Gjendjes Civile të kombësisë, si element i të dhënave të Gjendjes Civile të shtetasve”- u shpreh Teliti.
 Edhe në sqarimin që jep INSTAT në faqen zyrtare mbi arsyen e zhvillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, thotë se Censusi do të japë një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Falë këtyre të dhënave do të ndihmohen autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politikat për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit dhe infrastrukturës.       

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›