E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në veri të Kosovës e qetë

Situata në veri të Kosovës është e qetë pas aksionit të ditës së shtunë nga KFOR për mbylljen e një rruge alternative të kufirit në afërsi të Bërnjakut në veri të Kosovës. Serbët do të vazhdojnë të përdorin rrugë të tjera alternative të cilat lidhin Kosovën me Serbinë qendrore, dhe nuk do të pranojnë kurrë integrimin e tyre me dhunë në institucionet e shtetit të Kosovës.
Kështu janë shprehur krerët ilegalë të Zubin Potokut, Sllavisha Ristic dhe i ashtuquajturi kryesues i Kuvendit Komunal të këtij qyteti, Stevan Bozhovic, pas takimit që patën në Jagnenicë me njërin nga komandantët e KFOR-it, David Kontad, rreth zgjidhjes së situatës së krijuar pas mbylljes së njërës prej rrugëve alternative.
Ata kanë apeluar tek popullata serbe të tubuar nëpër disa pika në rajonin e Kollashinit që të shpërndahen të qetë, dhe të mos bien pre e provokimeve të KFOR-it. "Duhet të jemi të kujdesshëm të mos provokohemi, sepse ka tendenca të akuzohemi për incidente të mundshme", ka thënë Bozhovic .
Nga ana tjetër KFOR bën të ditur se ka përfunduar me sukses operacionin, duke e mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16, në afërsi të Bërnjakut, ndërsa nuk konfirmon raportimet që flasin për lëndimet e marra nga një civil, kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër tre plumba gome, në mënyrë që të mos i lejojnë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it. Operacioni nxiti protestat e serbëve lokal të cilët u mblodhën në afërsi të vendkalimit kufitar për të kundërshtuar mbylljen e rrugëve dytësore.
Sipas deklaratës së KFOR-it, situata e përgjithshme mbetet e qetë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›