Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar

Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës vazhdon të mbetet e tensionuar për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ku ishin të pranishëm zyrtarë komunalë si dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se gjendja e sigurisë javën e kaluar ka qenë një situatë e ngjashme me javët e kaluara. “Kanë vazhduar sulmet dhe shpërthimet në veri, duke e bërë situatën mjaft të tensionuar”.
Sipas një njoftimi, në këtë takim u kërkua siguri më e madhe për punëtorët e Zyrës Administrative në veri, të cilët shumë shpesh janë cak i këtyre sulmeve. “Policia e Kosovës, EULEX-it dhe KFIOR-i duhet pak më tepër të kenë kujdes për zyrtarët e Zyrës Administrative në veri, për arsye se po shohim se në shumicën e rasteve ata po janë cak i sulmeve”.
Ndërkaq, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, shtroi nevojën për veprime konkrete të strukturave të rendit për arrestimin e atyre që janë duke krijuar incidente në veri. “Mosveprimi është duke i trimëruar grupet kriminale që të vazhdojnë me aktet e tyre”.
Në takim ai përsëriti kërkesën drejtuar organeve të sigurisë për shtim të masave në veri, meqë qytetarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për shkak të këtyre shpërthimeve që kohëve të fundit janë më të fuqishme./Indeksonline/