Situata nga dëbora, Pipero: Personeli shëndetësor në gatishmëri
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka marrë të gjitha masat për të përballuar emergjencat mjekësore në zonat e bllokuara nga dëbora duke vënë në dispozicion edhe helikopterët. Drejtori i politikave, Pëllumb Pipero tha se qendrat shëndetësore janë në punë 24 orë, ndërsa në Korçë, Dibër e Kukës janë nisur ekipe të posaçme të ministrisë për të asistuar në situatat emergjente.
“Situata shëndetësore paraqitet nën kontroll edhe pse shumë zona në veri janë të bllokuara çka ka vështirësuar komunikimin e qytetarëve me sistemin shëndetësor por nuk ka ulur gadishmërinë e bluzave të bardha. Të gjitha qëndrat shëndetësore janë të pajisura me medikamentet dhe ka personelin e nevojshëm. Urdhri I Ministrit Vasili është që shërbimi shëndetësorë të punojë 24 orë por dhe situata vazhdon të jetë në kontroll për tu ardhur në ndihmë banorëve do të shftytëzohen jo vetëm rrugët tokësore por edhe ato ajore” ka theksuar Pipero.
Ai i ka kërkuar personelit shëndetësorë në zonat problematike të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të bërë të mundur transportimin e medikamenteve drejt zonave të bllokuara. “Sjell në vëmendje të personelit shëndetësor që të bashkëpunojë me strukturat e pushtetit vendor për të bërë të mundur transportimin e bluzave të bardha në vendet që kanë nevojë dhe për transportin e medikamenteve” ka shtuar më tej Pipero
Pipero gjithashtu ka kërkuar nga Instituti i Shëndetit Publik që të rrisë gadishmërinë për mbajtjen e sittuatës epidemiologjike nën kontroll pasi rastet me grip mund të shtohen gjatë fundit të këtij muaji.