Situata nga reshjet, Ministria e Mbrojtjes: Evakuime në Vlorë, Fier dhe Lezhë, nën monitorim disa zona

Shirat e dendur që kanë përfshirë vendim kanë shkaktuar problematika, kryesisht gjatë natës, ndërsa në disa zona situata është normalizuar sërish. Gjatë 24 orëve të fundit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është shprehur se në disa zona është stabilizuar situata, ndërsa në qarqe si Vlorë, Lezhë dhe Fier është bërë evakuimi i disa familjeve për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Gjithashtu në Qarkun e Fierit ka edhe përmbytje të tokave bujqësore në disa fshatra për shkak të daljes së lumit Vjosa nga shtrati. Ndërsa lidhur me bllokimin e disa akseve për shkak të rrëshqitjes së dherave, situata është vënë në normalizim pas pastrimit të tyre.
Qarku Vlorë
Lumi Vjosa shkaktoi evakuimin e 10 familjeve në njësinë administrative Novoselë dhe pranë urës së Mifolit.
Bashkia Himarë: Rruga midis Shën Vasil–Nivicë është hapur, ndërsa vijon pastrimi i segmentit Selenicë–Rromës.
Bashkia Sarandë: Monitorohen prurjet e lumit të Kalasës dhe dëmtimi i argjinaturës së lumit Bistricë në fshatin Çukë. Po punohet për rikthimin e energjisë në tunelin e Llogarasë dhe pastrimin e rrugëve të bllokuara në Shkallë Qafë Botë dhe Konispol.
Banesat në Ksamil dhe Metoq janë pastruar, ndërsa po punohet për pastrimin e ujit në fshatin Vrion.
Qarku Fier
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në Kashisht, Cerven dhe Ferras, duke përmbytur 50–60 ha tokë bujqësore.
Është evakuuar një familje me dy anëtarë në Cerven, ndërsa ujë është regjistruar në oborret e 30 ndërtesave.
Ka rritje prurjesh edhe në lumin Seman, por pa rrezik për banesa.
Qarku Korçë
Lumenjtë Devoll dhe Dunavec monitorohen për fryrje.
Devijime provizore të ujërave po kryhen në disa zona, ndërsa po pastrohen rrugët nga gurët e rënë në aksin Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.
Qarku Lezhë
Argjinatura e lagunës së Vainit po monitorohet, me rritje niveli të ujit.
Janë kryer evakuime me varka, ndërsa punimet për riparim të argjinaturës vazhdojnë.
Në Kurbin po riparohen rrugët e dëmtuara, ndërsa lumi Drin shënon rënie niveli.
Qarku Dibër
Situata e stabilizuar në Bulqizë, por po punohet për hapjen e përrenjve në Luzni, Zall Dardhë dhe Muhur.
Furnizimi me energji normal, përveç fshatit Vakuf.
Rrugët e fshatrave në Mat janë të hapura.
Qarku Berat
Lumi Osum ka rrezik për dalje nga shtrati në lagjen Goricë.
Ndërhyrje nga UKT në lagjen 28 Nëntori, ndërsa në Dimal ka prani uji në tokat bujqësore të Çiflig dhe Arrëz.
Qarku Gjirokastër
Janë pastruar rrugët nga inertet e rëna gjatë natës në akset Kardhiq–Delvinë, Tepelenë–Gjirokastër dhe Gjirokastër–Kakavijë, të gjitha të kalueshme për qarkullim.
/rtsh.al/