Situata, opozita shtab operiacional në Veri
08/01/2010 Krerët e majtë mblidhen për përmbytjet. Shtyhen protestat për kutitë
Nis procesi për hartimin e padisë ndaj ministrit Prifti Kontakte me juristë
Kampi opozitar do të ngrejë sot shtabin e operacional në ndihmë të zonave të përmbytura në Shkodër dhe Lezhë. Një vendim i tillë u mor dje gjatë takimit të përbashkët të kreut të PS-së Edi Rama me aleatët e majtë dhe të djathtë. Kështu, duke nisur nga dita e sotme, përfaqësuesit e këtyre partive do të nisin mbledhjen e informacioneve mbi situatën në zonat e Veriut, të cilat janë përfshirë në një situatë katastrofike. Pritet që gjatë ditës së sotme të nisin ndihmat e para për banorët e këtyre zonave, kryesisht ndihma që përfshijnë materiale jetike. Paralelisht me këtë iniciativë kampi opozitar po shikon mundësitë për të kërkuar procedim penal për ministrin e Energjetikës Dritan Prifti. Ndalur në një situatë të tillë, e majta e pa të arsyeshme që të shtyjë organizimin e protestave për hapjen e kutive në një tjetër kohë.
Takimi
Kreu i PS-së, Edi Rama, thirri dje në një tryezë kreun e PSD-së Skënder Gjinushi, atë të PBDNJ-së Vangjel Dule, kreun e PLD-së Spartak Ngjela, drejtuesin e “G-99” Erion Veliaj dhe ish-drejtuesin e LSI-së Ndre Legisi. Duke u ndodhur përballë situatës katastrofike në Veri të vendit, drejtuesit e këtyre partive vendosën që ta zhvendosin aksionin e tyre politik me në qendër organizimin e manifestimeve për hapjen e kutive vetëm pas stabilizimit të gjendjes në Lezhë dhe Shkodër. Madje, pikërisht për një situatë të tillë kampi opozitar vendosi që në ngritjen dhe funksionimin e një shtabi operacional në këto zona. Do të jenë strukturat e PS-së dhe të PDK-së në këto qytete që do të merren fillimisht me menaxhimin e të gjitha ndihmave që do të mblidhen për këta banorë. Por ndërkohë edhe partitë e tjera, së bashku me vullnetarë, do të jenë në ditët në vijim në funksion të stabilizimit të gjendjes së rëndë. Gjatë ditës së sotme do të shpërndahen ndihmat e para për banorët, kryesisht veshmbathje, për t’u pasur dhe me ndihma të tjera, mbase dhe financiare, pasi ky kamp ka hapur dhe llogari bankare për këtë çështje. Një vendim i tillë, sipas vetë drejtuesve të këtyre partive, erdhi për shkak të qëndrimeve që po mban qeveria ndaj këtyre zonave. Më konkretisht, duke mos pasur asnjë vendim konkret për kompensime financiare apo dhe ndihma të tjera, banorët hezitojnë të lënë banesat, që tashmë janë të përmbytura. Për këtë arsye opozita tenton që përmes këtij shtabi të mund të përmirësojë këtë gjendje. Ndërkohë që po sot do të ketë një tjetër mbledhje për të përcaktuar drejtuesit dhe mënyrën se si do të funksionojë ky shtab.
Padia
Gjatë pasdites së djeshme, pas takimit mes krerëve të majtë, ky kamp ka nisur një tjetër lëvizje. Konkretisht eksponentë të së majtës kanë nisur takimet me juristë për të diskutuar dhe për të parë të gjitha hapësirat e mundshme për ndërmarrjen e një procedimi penal ndaj ministrit të Energjetikës dhe Ekonomisë Dritan Prifti, pasi në vlerësimin e kampit opozitar ministri Prifti ka anashkaluar rregulloren për hapjen e portave të hidrocentraleve. Për këtë arsye që dje kanë nisur takimet për të parë të gjitha mundësitë për të zyrtarizuar një nismë të tillë, në rast se Prokuroria e Përgjithshme nuk do të marrë parasysh kërkesën e drejtuar nga opozita për të hetuar mbi shkaqet që sollën një katastrofë të tillë në Veri të vendit.
Spartak Ngjela, kryetar i PLD-së
“Nuk jemi përballë një fatkeqësie natyrore, sepse ka dyshime që rregullorja teknike nuk është zbatuar normalisht. Cilat janë arsyet, është një diskutim që do të vazhdoj. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës që të mbledhë urgjentisht dhe të krijojë një komision për të parë ecurinë dhe dinamikën e respektimit të rregullores teknike, e cila ka të bëjë me jetën e një numri shumë të madh qytetarësh. Sipas të dhënave që kemi, kjo rregullore është shkelur. Aspekti i dytë është se nuk është vetëm fatkeqësi natyrore, por më tepër është një neglizhencë.”
Erion Veliaj, kryetar i “G-99”
“Nuk mund të kishte axhendë normale për hapjen e kutive. Ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e kutive, zoti Prifti hapi digat. Ka shumë skeptikë e cinikë, që thonë se solidariteti është një koncept i majtë. Unë ju them këtyre cinikëve dhe skeptikëve se ky nuk është një koncept i majtë. Ky është akti i vetëm qytetar. Kemi sugjeruar skemën e kompensimit, duhet të kishte hyrë në fuqi. Kërkojmë gjithashtu që disa autoritete si prokurorja e përgjithshme, nuk duhet të rrijë, por të duket, sepse kjo ka vend më shumë se kurrë.”
Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së
“Prioriteti i prioriteteve mbetet ai humanitar: shpëtimi i jetëve njerëzore. T’i bindet e gjithë popullata e këtyre zonave zërit të specialistëve. Është momenti që të gjithë, çdo qytetar, aq më tepër ata që kanë mundësi, të solidarizohen me njerëzit në nevojë. Kontot e hapura bankare duhet të jenë një motiv për të gjithë qytetarët që të japin kontributin e tyre. Opozita krahas këtyre veprimeve do të jetë këmbëngulëse për normalizimin e situatës, që të dalë përgjegjësia e fundit dhe të ndëshkohen përgjegjësit për këtë situatë fatkeqësie civile.”