Farudin Hoxha: Situata përballohet vetëm po i latë të qetë ekspertët
08/01/2010 Inxhinieri bën thirrje për të mos lejuar ndërhyrje politike
Në një intervistë televizive një nga inxhinierët e njohur të hidrocentraleve në Shqipëri ka theksuar se përballimi i situatës së krijuar në kaskadën e Drinit do të realizohet vetëm nëse lihen të qetë ekspertët në punën e tyre.
- Zoti Hoxha, si e shikoni situatën e krijuar në Shkodër dhe Lezhë?
- Para se të jap përgjigje, doja të thosha se kjo është intervista më e rëndë që jap në jetën time. Situata në kaskadën e Drinit është nga më të rëndat që njoh në Shqipëri. Prurjet janë të jashtëzakonshme. Por si një ndër projektuesit e kësaj kaskade kam besim të plotë se këto vepra jo vetëm do t’u rezistojnë këtyre prurjeve që po vijnë në Drin, por dhe shkarkimi do të bëhet në mënyrën teknikisht më të mirë, me humbjet më të pakta që mund të jenë në këtë rast. Unë do t’u bashkohesha thirrjeve të shqiptarëve që t’i binden urdhrit për t’u larguar nga vendbanimet, pasi e ardhmja nuk dihet.
- A është zbatuar rregullorja dhe sa ndikim ka ajo?
- Ndonjë ndikim mund të ketë. Nuk e përjashtoj. Ndoshta do të duhej që disa shkarkime të bëheshin edhe më parë. Por ndikimi i tyre nuk do të ishte kaq katastrofik sa vërehet sot. Këto prurje kaq të mëdha nuk mund të kalohen në asnjë mënyrë përveçse në bazë të rregullores së kaskadës. Kam dëgjuar për ndërhyrjet e njerëzve të pushtetshëm, të politikës, ekzekutivit, që japin urdhra për të ndaluar apo shtuar shkarkimet. Bëjnë gabimin më të madh. Këtë duhet ta lënë në dorën e specialistëve, pasi ata e dinë më mirë.
- Si është menaxhuar situata?
- Po mundohet që të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Madje, sot kisha mbledhjen e komisionit të digave të mëdha, ku u fol për këtë kaskadë dhe zgjidhjen e situatës. Kërkesa e komuniteteve ishte: lërini ndërhyrjet në problemet e kaskadave, besojuani njerëzve të ngarkuar për këtë, pasi më mirë se ata askush tjetër nuk mund ta bëjë. Kjo bëhet vetëm duke zbatuar në mënyrën më rigoroze rregulloren, që nuk është bërë në mënyrë spontane, por në një studim të plotë të disa studiuesve që kanë parashikuar humbjet më minimale të mundshme. Lutja ime do të ishte: mos ndërhyni në këtë situatë të rëndë.
- A rrezikohet çarja e digës?
- Absolutisht nuk bëhet fjalë për çarjen e digës. Kjo bëhet vetëm nëse kalon uji mbi të. Po nëse rregullorja zbatohet, të jeni të sigurt, të jetoni të sigurt aty ku jeni, se asgjë nuk mund të ndodhë. Kjo vetëm në rast se respektoni specialistët.
- Si është situata e portave të Fierzës?
- Portat e Fierzës janë të tëra të sigurta, me përjashtim të njërës, që dihet se është numri 3. Ishalla, i lutem Zotit që të mos i vijë radha hapjes së saj.
Nuk e di si mund të funksionojë ajo, por në pamundësi dhe kjo e ka: hapje në mënyrë të sforcuar.
Marrë me shkurtime nga “News 24”