Berisha-Ramës:Fushatë politike në 2013,këto janë zgjedhje për qytetarin
Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet kreut të PS-së për fushatën politike. “Ne nisim fushatën e qytetarit , me qytetarin dhe për qytetarin”
Durrës- Ndryshe nga kryetari i opozitës, Edi Rama, kryeministri Sali Berisha paralajmëron se do të bëjë një betejë administrative dhe jo politike për zgjedhjet e 8 majit. Në një takim të organizuar në Durrës, Kryeministri i vendit deklaroi se këto zgjedhje nuk kanë asnjë arsye që të politizohen. Ai ka premtuar se zgjedhjet do të jenë politike, vetëm në vitin 2013. Në këtë kontekst, Berisha i është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të ketë durim deri në këtë vit, pasi rezultati i 2013-ës, sipas tij, do ta kthejë edhe një herë në vitin 2009.
“Kundërshtarët tanë premtojnë se do të vazhdojnë alternativën e bllokimin, alternativën e nihilizmit.Ndiqini kur flasin dhe do të konstatoni se nga buzët e tyre, dalin vetëm mohime, nga goja e tyre dalin vetëm mashtrime. Ata betohen se do ta bëjnë politike këtë betejë. Ne ju themi atyre se ne këtë betejë e kemi për vlerat, e kemi për interesat e qytetarëve shqiptare, e kemi për fëmijët e tyre, por sa për politikë, dua ti them shokut Rama, prit 2013 se do të dëshmojmë dhe njëherë se cili je.”-tha Berisha.
Kryeministri i mëshoi faktit se fushata për zgjedhjet lokale do të jetë për qytetin e qytetarët. “Këtë fushatë e kam për ju, ndaj dhe kam vendosur , që shpifjeve të tyre tu përgjigjemi me rrugë për ju, sharjeve të tyre tu përgjigjemi me shkolla për fëmijët tuaj, akuzave të tyre, tu përgjigjemi me investime publike në mënyrë që të lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetën tuaj”-tha ai.
Kreu i qeverisë Sali Berisha mori pjesë pikërisht në inaugurimin e unazës së qytetit të Durrësit, një investim i qeverisë shqiptare, me vlerë 120 milionë lekë. Pas prerjes së shiritit të inaugurimit nga ministrat, Sokol Olldshi dhe Ferdinand Xhaferraj, Kryeministri Berisha ka komentuar situatën aktuale politike. Ai u është drejtuar në një moment komisionerëve, që tashmë janë pjesëtarë të KZAZ-ve në gjithë vendin se, ata nuk duhet të kenë frikë nga asgjë, sepse do të jetë vetëm ligji që do të zbatohet në çdo rast. “Jam ndier i fyer, kur gjatë takimeve me ndërkombëtarët, këta të fundit më kanë bërë të ditur se lideri i opozitës më ka akuzuar për korruptim të komisionerëve. Rama duke dyshuar te komisionerët, njëherësh dyshoi edhe te vetvetja. Unë dua tu dërgoj një përshëndetje vëllazërore të gjithë komisionerëve të forcave politike. Dua t’i ftoj ata që të bëhen pjesë e një procesi nga më të mirët dhe të besuarit, sepse që ta dinë se do të jenë garant të zbatimit të ligjit, sepse vetëm me zbatimin e ligjit ata do të faktojnë se nuk mund të blihen dhe shiten dhe as të viktimizohen nga dyshimi që i lind liderit të opozitës”, - tha Berisha. Lidhur me mandatin e ardhshëm të bashkisë, kryeministri Berisha tha se kryebashkiaku i ri i Durrësit do të bëjë të mundur zgjedhjen e shumë problemeve që ka qyteti bregdetar aktualisht, siç është ujësjellësi dhe uji i pijshëm. Berisha ka premtuar edhe ndërtimin e rrugës së Kallmit, bregdeti veriperëndimor i Durrësit, në të cilin gjenden shumë plazhe të vegjël ende të pashkelur nga shumë pushues, si dhe një rrugë moderne drejt Bishtit të Pallës.
Aleks Kalemasi