Situatë kaotike në Vlorë. Flamurtari fiton, por tifozët shpërthejnë në vandalizëm
Geri Çipi nuk ka asnjë lidhje gjaku me Nostradamusin, por ajo që ai parandjeu dje doli të ishte e saktë. Ndeshja, nga pikëpamja teknike, u zhvillua në perfeksion. Skuadrat luajtën një futboll burrëror dhe në fund fitoi më i mirë, Flamurtari. Por sikundër kishte parashikuar një ndeshje normale, kishte shfaqur dyshime në lidhje me reagimin e tifozërisë, ndaj asaj që ai e cilësoi si “vjedhjen” që u ishte bërë vlonjatëve gjatë kampionatit. “Nuk e dimë sesi do të reagojë tifozëria” kishte shtuar shefi i klubit vlonjat dhe natyrisht që as ai vetë nuk do ta kishte imagjinuar një skenar të tillë. Kur gjyqtari Janku i dha fund ndeshjes dhe krejt sezonit me vërshëllimën e tij, nuk i shkoi ndërmend se do t’i jepte jetë një “vaterloje” futbolli. Qindra tifozë të ngarkuar nga emocionet e një kampionati të shumëpërfolur, nuk kanë mbajtur më dhe kanë shpërthyer pikërisht kur ka përfunduar edhe sezoni. Kanë qenë me qindra objektet që janë flakur në fushë nga ana e tifozëve të irrituar, që nuk kanë kursyer as stolat e tribunës qendrore, duke i thyer thuajse të gjithë. Shenjestra? Kanë qenë ata, lojtarët e Skënderbeut, më të urryerit për tifozët vlonjatë. Skenat kanë qenë vërtet të egra. Lojtarët korçarë janë shoqëruar një nga një nga forcat e rendit, që i mbronin ata teksa i dërgonin për në dhomat e zhveshjes. Por nuk janë kursyer as gjyqtarët e takimit. Janku me asistentët e tij janë shoqëruar të rrethuar nga forcat speciale për të shkuar në dhomën e tyre. Tifozët dolën nga stadiumi duke sharë në kor presidentin e FSHF-së, Dukën, presidentin e Skënderbeut, Zeqon, dhe ministrin Bode. Por nuk mbaroi me kaq. Për gati dy orë tifozët e kanë mbajtur të rrethuar stadiumin “Flamurtari” dhe nuk kanë lejuar skuadrën e Skënderbeut dhe gjyqtarët që të largohen. Madje, pre e mërisë së tyre është bërë edhe rruga Vlorë-Skelë, e cila gjithashtu është bllokuar për shumë kohë, duke shkaktuar jo pak kaos e rrëmujë në trafikun e qytetit. Policia ka ndërhyrë e vendosur që të largojë tifozët dhe ka arritur ta shpërndajë turmën e nervozuar.
Sa për kronikën e ndeshjes, fatin e takimit e vendosi një eurogol i Halim Begajt në minutën e 42-të, me një goditje të zgjuar nga rreth 14 metra, me një diagonale të lartë, që bëri të pavlefshme tentativën e gardianit të Skënderbeut, Orges Shehit. Fundi i takimit prodhoi acarimin e tifozëve te Flamurtarit, por dhe pozat e lojtarëve vlonjatë me një kopje të trofeut të kampionatit. Gjithsesi, duhet theksuar se Flamurtari fitoi 2 nga 3 ndeshjet kundër korçareve: 4-0 dhe 1-0 në Vlorë, duke humbur 1-0 në Korçë. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, ceremonia e dorëzimit të trofeut të kampionit, nuk u zhvillua në Vlorë. Me gjashtë ndeshjet e fundit të javës së 33-të, Kategoria Superiore mbylli sezonin e saj, me kampion Skënderbeun në titullin e dytë historik të tij, si dhe me rrëzimin nga superliga të Besës dhe Elbasanit