Çipi: S’pajtohem me dhunën, por turma ishte e ngarkuar
Situata kaotike që përfshiu fundin e ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu, nuk i ka pëlqyer aspak shefit të klubit vlonjat, Geri Çipit. Sipas tij, ajo që ndodhi ishte e papëlqyeshme dhe aspak normale me futbollin, por shton se turma ka qenë vërtet e ngarkuar dhe se reagoi në atë mënyrë, për shkak të padrejtësive që i janë bërë Flamurtarit në këtë sezon. Në momentin e vërshëllimës së trefishtë të Albano Jankut, tifozët kuqezinj që kishin mbushur tribunat duke mposhtur shiun, kanë reaguar egërsisht duke shkatërruar edhe tribunën qendrore. “Natyrisht që është një ngjarje e papëlqyeshme. Unë, por edhe klubi “Flamurtari”, nuk jemi aspak dakord me situatën që ndodhi në fundin e ndeshjes. Dhe më parë e pata deklaruar se do të jetë një ndeshje delikate, por ne si klub kishim organizuar gjithçka mirë, duke kërkuar edhe mbështetjen e forcave speciale, - tregon për gazetën në linjë telefonike shefi i klubit, Geri Çipi. - Këto janë akte që nuk kanë lidhje me futbollin, por duhet të përpiqemi sado pak të kuptojmë dhe një turmë të irrituar dhe të nervozuar me padrejtësitë që u janë bërë në një kampionat, që të gjithë e kemi parë dhe kemi qenë dëshmitarë të asaj që ka prodhuar. Tifozët e Flamurtarit e kanë merituar një titull kampion, por nuk mund të gëlltisnin dot faktin se titulli iu fal Korçës. Sidoqoftë, e përsëris se kjo nuk e justifikon dhunën”. Por Çipi nuk e lë me kaq. Ai ka dy fjalë edhe me shmangien që i bëri federata ceremonisë së dorëzimit të titullit kampion. FSHF nuk udhëtoi fare në Vlorë për të kurorëzuar kampionen në ceremoninë e përvitshme, duke iu druajtur kështu trazirave, por për Geri Çipin, kjo vërtetoi edhe njëherë njëanshmërinë e federatës. “Ceremonia? FSHF-ja e tregoi fytyrën e saj të vërtetë, duke mos ardhur fare në Vlorë për të dorëzuar trofeun. Kjo ishte prova më e madhe e njëanshmërisë së saj dhe se ka ndikuar fort që titullin mos ta fitojë Flamurtari”, përfundon deklaratën e tij shefi i klubit vlonjat.