E Diel, 1 Nëntor 2026

"Art dhe Trashëgimi", një revistë që i mungonte lexuesit

SHKRUAN: Aida Tuci 17-05-2011 11:42

Ruajtja dhe vënia në pah e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike është një preokupim i vazhdueshëm jo vetëm i institucioneve por edhe shoqatave dhe individëve të ndryshëm, por që akoma vazhdon të jetë në rrafshin e diskutimeve dhe debateve, një angazhim ky që gjithsesi duhet mbështetur dhe përkrahur. Falë angazhimit të partnerëve të ndryshëm në ruajtjen dhe valorizmin e trashëgimisë sonë kulturore, sot kemi të regjistruar në listën e trashëgimisë së UNESCOS dy site shqiptare: Siti i Butrintit dhe qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës. “Këto site mishërojnë thelbin e trashëgimisë botërore… E veshur me një të shkuar magjike, e cila ruhet dhe respektohet, kjo është përcaktuar të vazhdojë edhe në të ardhmen. UNESCO-ja mirëpret çdo mundësi për të mbështetur Shqipërinë dhe shoqërinë e saj në përpjekjet për ta mbajtur në këmbë këtë urë të fuqishme mes të shkuarës dhe të ardhmes”- me këto fjalë i drejtohet lexuesit të revistës më të re në treg “Art dhe Trashëgimi” drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova. Revista është botim i shoqatës franko-shqiptare “Argjiro” dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ajo fton lexuesin vendës por dhe të huaj që të dalë jashtë shtëpisë së vet e të shkojë të shohë bukuritë e Shqipërisë. Revista “Art dhe Trashëgimi” është padyshim një botim elitar që i ka munguar deri më sot tregut të botimeve mbi artin dhe trashëgiminë tonë, ndaj ju ftojmë të mos e humbisni numrin e saj të parë dhe rrëfimin për gazetën MAPO të drejtoreshës së kësaj reviste, Ilda Mara, njëkohësisht presidente e shoqatës franko-shqiptare “Argjiro”.

Kjo revistë erdhi si nevojë apo shkon përtej kësaj?

Revista “Art & Trashëgimi” lindi si nevojë që të mbushë një hapësirë boshe në fushën e botimeve dhe të periodikëve shqiptarë, në fushën aq të gjerë dhe komplekse të kulturës dhe të dijes, por ajo është gjithashtu finalizimi i një pune disavjeçare të organizatës “Argjiro” dhe e bashkëpunëtorëve të mi që punojmë në Shqipëri që prej pesë vitesh. Vazhdë e punës sonë është dhe Festivali që organizojmë në Gjirokastër që prej vitit 2007 “Takimet muzikore të dy botëve” si dhe organizimi i vazhdueshëm i konferencave mbi trashëgiminë kulturore e dialogun ndërkulturor. Pikërisht këto ndërthurje artistiko-kulturore që ne si organizatë kemi bërë këto pesë vite ishin një sensibilizim dhe një sjellje pranë publikut vendës dhe atij të huaj të trashëgimisë sonë. Tashmë ishin pjekur kushtet për një projekt tjetër siç është revista “Art & Trashëgimi”. Sigurisht që kjo u bë e mundur dhe me një bashkëpunëtor shumë serioz siç është Qendra e Studimeve Albanologjike e drejtuar nga Ardian Marashi, i cili gjithashtu është një nga nismëtarët e parë të krijimit të shoqatës “Argjiro” në Paris në vitin 2006. Kjo mbështetje na dha krahë dhe na ndihmoi që në bashkëpunim me të gjithë institutet të mund të nxjerrim një produkt i cili vë në pah trashëgiminë kulturore shqiptare, por njëkohësisht kujdeset për të hapur debatin apo për të diskutuar çështjet akute të cilat lidhen me artin e kulturën në Shqipëri, por boshti kryesor i revistës mbetet trashëgimia kulturore.

Numri i parë i kushtohet Beratit. Përse është zgjedhur ky qytet?

Po, numri i parë i kushtohet një prej qyteteve më të vjetër dhe më me vlerë në vend, siç është qyteti i Beratit, apo siç njihet ndryshe dhe Qyteti i Bardhë, një atraksion i jashtëzakonshëm për vlerat e tij muzeale, jo vetëm për të huajt, por edhe për vendësit, për ta vendosur përfundimisht Beratin në hartën turistike botërore. Ky numër është konceptuar si një dossier, ku qyteti i Beratit na prezantohet në të gjitha këndvështrimet, që nga historia, kultura, letërsia, trashëgimia etj. Përzgjedhja e Beratit së pari ishte sepse është një nga sajtet e fundit të futura ne Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe sigurisht ishte me një interes të madh për ne, si dhe për publikun vendës e të huaj. Berati tashmë është bëre një shënjestër turistike dhe ne menduam se ishte me shumë interes që të rrëmonim në pasuritë e tij dhe të eksploronim vlerat e tij unike, të veçanta, të mrekullueshme, që ky qytet ka sjellë nga historia dhe ende i ruan, për t'i ekspozuar dhe për t'i bërë të aksesueshme ato për një publik të gjerë. Revista do të dalë në treg 4 herë në vit dhe në çdo numër të saj do të flitet për një qytet, qendër arkeologjike apo historike. Do të ketë dhe pika transversale me figura historike të mëdha, por që janë figura, “vende dhe legjenda”, si ajo e Ali Pashë Tepelenës për shembull. Një numër i radhës, mund t’i kushtohet bjeshkëve shqiptare. Këto janë ide që do të realizohen në numrat e ardhshëm, prandaj shpresoj që revista të ketë jetëgjatësi. Ideja është që të bëjmë një revistë të specializuar në çdo qelizë të saj. “Art dhe Trashëgimi” nuk është aspak një revistë komerciale, por një revistë shkencore, është ajo revistë që ne kërkonim, është ajo revistë që do të na pëlqente ta lexonim.

Kjo nismë do mbetet në rrafshin e diskutimeve apo ka një mision përtej botimit të gjithçkaje mbi artin dhe trashëgiminë në një revistë që, siç thoni ju, do të dalë në treg 4 herë në vit?

Mendoj se revista në vetvete është një projekt konkret, që ka marrë udhë tashmë. Është një projekt shumë ambicioz dhe i kushtueshëm njëkohësisht. Unë personalisht si ideatore e këtij projekti do të dëshiroja shumë që misioni i saj të shkonte dhe përtej kësaj. Janë katër numra që do të botohen në vit, me nga 160-200 faqe secili. Besoj se unë dhe ekipi im jemi gati ta përballojmë këtë punë kolosale, por ajo që ne synojmë është vazhdimësia e saj, që kjo revistë të ketë një jetëgjatësi dhe një shtrirje të madhe gjeografike. Revista botohet në shqip dhe anglisht dhe i drejtohet jo vetëm shqiptarëve, por gjithashtu është një lloj albumi apo katalogu edhe për të huajt. Është konceptuar pra si një revistë-album, në mënyrë që të jetë sa më tërheqëse për të huajt që vizitojnë Shqipërinë. Në këtë mënyrë ajo do t’i shërbejë turizmit dhe do të jetë një mënyrë prezantimi për Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj kulturore. Dosieri i numrit të parë që i kushtohet Beratit hapet me një nga fotot më të bukura të Alket Islamit “Berati nga Qielli” dhe besoj se për çdo numër do të kemi për çdo qytet apo qendër arkeologjike një foto nga qielli. Perceptimi që ne duam të japim me këtë është se, pasi e japim një pamje nga lart të qytetit apo qendrës arkeologjike, pas çdo shfletimi të faqeve të revistës ta çojmë lexuesin më në brendësi dhe në skutat më të errëta të historisë, arkeologjisë apo kulturës shqiptare.

Sa e vështirë është të jesh sot në Shqipëri një misionare e promovimit të artit dhe trashëgimisë?

Shumë e vështirë! Por sa e vështirë, është edhe e lehtë në sensin që, nëse ke energjinë e duhur dhe pasionin për të bërë diçka që ti beson që ia vlen, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë. Ne shqiptarët kemi një thesar të jashtëzakonshëm, që, nëse do ta krahasonim me Greqinë, vendin fqinj, e cila ka ngritur mitin e Greqisë mbi vlerat e saj arkeologjike e historike, them se Shqipëria ka po të njëjtat shanse dhe mundësi për t’u bërë një referencë e tillë në Europë. Shqipëria ka një nëntokë të pasur arkeologjike, që është akoma e pazbuluar tërësisht, Shqipëria ka një natyrë dhe faunë të mrekullueshme e duhet të punojë që ta vërë atë më në pah.

Kush janë bashkëpunëtorët e “Art dhe Trashëgimi”?

Bashkëpunimi me Qendrën e Studimeve Albanologjike për ne ka qenë vërtet shumë e rëndësishme. Redaksia e revistës ka bashkuar në një ekip të vetëm një numër imponues kontribuesish të spikatur: Ben Andoni, Jutta Benzenberg, Erida Feta e Bavjola Shatro, pa kurajën e të cilëve kjo nismë do të ishte arkivuar si të tjera para saj; ekspertët e saj shkencorë - Aleksandėr Meksi, Afėrdita Onuzi, Emin Riza, Luan Përzhita, Kastriot Dervishi, autoriteti i të cilëve i jep kësaj reviste identitetin; specialistët e kërkimeve transversale - Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Moikom Zeqo, pa harruar këtu ndihmën e mbështetjen institucionale të Ardian Marashit dhe të deputetit të Beratit, z. Genc Pollo.

Një revistë vërtet elitare, por dhe e kushtueshme njëkohësisht…

Deri tani mbështetja financiare ka qenë kryesisht vetëm nga kompanitë private, jemi duke përmbyllur një marrëveshje me institucionet shtetërore e sidomos me ato ndërkombëtare. Por në përgjithësi kemi patur mbështetje dhe sensibilizim që në daljen e numrit të parë të revistës, sepse me shoqatën “Argjiro” tashmë i kemi ngritur prej vitesh rrugët e bashkëpunimit dhe besimit me sektorin privat që na ka mbështetur dhe na mbështesin në misionin tonë. Kjo revistë merr vlerë të shtuar pasi ne pretendojmë që përmes saj të koleksionizojmë historinë, të shpluhurosim atë si një vlerësim të punës që bëhet në fushën e artit dhe trashëgimisë, pa harruar misionin kryesor të saj: ndërgjegjësimin kolektiv dhe individual ndaj problemeve të artit dhe të trashëgimisë sonë, dhe besoj se gjithkush që shfaq interes për historinë dhe artin tonë, do të dëshirojë ta ketë këtë botim në bibliotekën e tij.

Ka disa javë që revista është në treg dhe shitet në të gjitha pikat e librarisë Adrion. Ka ngjallur interes numri i parë?

Revista është në shitje në libraritë Adrion dhe në shtepiaelibrit.com. Interes ka patur goxha, sidomos kërkesat kanë qenë edhe në nivel institucional, si dhe nga vizitorë të huaj. Kjo sigurisht që më gëzon dhe më jep shtysë mua dhe stafit tim për të vazhduar aventurën më tej.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›