E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë "lufte" në Vlorë, policë edhe nga Tirana

VLORE-Në një situatë tejet të ndezur, që i ngjan pragut të një lufte, Flamurtari dhe Skënderbeu do të zhvillojnë sot ndeshjen përmbyllëse të kampionatit, në atë që konsiderohet si beteja e urrejtjes për tifozët vlonjatë. Një pragsfidë e tillë nuk ishte përjetuar kurrë në futbollin shqiptar edhe pse çuditërisht skuadrat nuk kanë asnjë objektiv në lojë. Flamurtari do të kërkojë tre pikët për t'u hakmarrë dhe për të treguar se është më I fortë se ekipi korçar, ndërkohë që tifozët kërkojnë të shfryjnë inatin ndaj skuadrës që në javët e fundit u "rrëmbeu" titullin kampion nga dora. Dje, drejtuesit e klubit vlonjat kanë vendosur që ndeshja përfundimisht të luhet me tifozë, madje për ta do të jetë hyrja falas, gjë që e ka shtuar shqetësimin për mbarëvajtjen e sfidës. Në Vlorë, pritet të jetë një numër rekord mbështetësish të Flamurtarit, por po aq edhe forca policie. Madje, FSHF ka kërkuar forca shtesë nga Tirana për këtë takim, duke parë edhe rrezikshmërinë e lartë të tij. Në stadium pritet të jenë policë të shumtë, madje edhe të repartit të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa frika e të gjithëve ekziston në atë se çfarë mund të bëjnë tifozët. Ka qenë kjo arsyeja që gjatë gjithë këtyre ditëve FSHF ka negociuar me drejtuesit e klubit vlonjat për të mos lejuar futjen e tyre dhe që ndeshja të luhej me shkallët e stadiumit bosh. Por, duke parë presionin e madh si edhe kërcënimet e ardhura nga një pjesë e tifozerisë, krerët e Flamurtarit dje kanë marrë vendim që dyert e stadiumit të jenë të hapura për këto që dëshiron të ndjekë ndeshjen.
Thirrjet
Paralajmërimet e bëra nga tifozët për atë çfarë e pret Skënderbeun në Vlorë, e kanë detyruar shefin e këtij klubi Geri Çipi që dje të dalë në një konferencë për shtypin dhe të bëjë thirrje për qetësi. Ai ka komentuar edhe vendimin e fundit të Komisionit të Disiplinës, që I hoqi Flamurtarit 3 pikë, duke e quajtur atë një skenar. Sipas Çipit, gjetja e të drejtës do të jetë vetëm tek UEFA dhe jo te sjelljet e rënda në ndeshjen ndaj korçarëve. "U bëjmë thirrje të gjithë tifozëve, dasha-mirësve dhe përkrahësve të ekipit tonë, që të ruajnë qetësinë dhe të injorojnë të gjithë skenarët anti-Flamurtar që janë duke u përgatitur për ndeshjen e sotme, - deklaroi Çipi para mediave. Ky kampionat nuk ka precedent në Evropë, ku ekipit kryesues në dy javët e fundit I hiqen 6 pikë nëpërmjet prapaskenave të turpshme dhe jo nëpërmjet fushës së lojës. Vlonjatët kanë treguar qytetarinë, kulturën dhe padyshim nivelin e lartë të futbollit të luajtur. Ne jemi kampionët e vërtetë të këtij kampionati. Megjithatë, në ndeshjen e sotme ndaj korçarëve, ne do të luajnë vetëm futboll, ndonëse si drejtuesit e Flamurtarit, futbollistët dhe të gjithë tifozët janë nën shënjestrën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe çdo veprim i tepruar i joni do të interpretohet për keq. Çdo akt dhune ne stadiumin është vetëm për të keqen e ekipit të futbollit Flamurtari. Prandaj, të mos biem në kurthin e 'bjondëve'", shtoi më tej shefi I klubit vlonjat, duke ironizuar me presidentin e Skënderbeut.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›