Sezon i ëndrrave

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Javier Hernandez ka theksuar se kurrë nuk e kishte imagjinuar suksesin që arriti në sezonin e tij të parë në Angli.
Hernandez ka shënuar 13 gola në Premierligë dhe 20 në të gjitha garat pas transferimit për rreth 6 milionë funte nga Guadalajara, para Kampionatit botëror, në verën e vitit të kaluar. Atëherë ishte i panjohur, por tani reprezentuesi meksikan është shndërruar në njërin prej sulmuesve më të frikshëm në ligë dhe mban golashënuesin më të mirë të Premierligës, Dimitar Berbatov në pankinë.
“Kjo është e pabesueshme”, tha Hernandez për MUTV.
“Sigurisht se kam besuar se mund të fitojmë titullin, por asnjëherë nuk kam menduar se do të luaj kaq shpesh dhe do të shënoj kaq shumë gola. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm. Ne mund të fitojmë edhe një titull. E ëndërroj këtë. Synojmë të fitojmë Ligën e Kampionëve. Mund të festojmë pas dy javësh. Para kësaj, na pret punë e madhe për atë ndeshje”, përfundoi Hernandez. Manchester United takohet me Barcelonën në finalen e Ligës së Kampionëve, në stadiumin Wembley, më 28 maj.