Sjellja e mirë në burg, ulje dënimi 2 vrasësve
Armand Bajrami
Dy persona që po vuajnë dënim me burg për akuzën e vrasjes do të qëndrojnë përkatësisht një muaj dhe tre muaj më pak në qeli. Gjykata e Tiranës vendosi dje uljen e dënimit për ta, duke vlerësuar sjelljen e tyre të mirë në qeli. Sipas vendimit të shpallur dje nga togat e zeza të dhomës penale të gjykatës së kryeqytetit, Katerina Qyteti do të vuajë një muaj më pak nga dënimi i mbetur, ndërsa Saimir Krosi tre të tillë. Kërkesa e Qytetit dhe e Krosit për përfitimin e uljes së dënimit ishte bërë në gjykatë vitin e kaluar. Katerina Qyteti qëndron në burg që prej vitit 2002, kur ajo qëlloi për motive gjakmarrjeje mbi një djalë 14-vjeçar. Ngjarja e rëndë është shënuar në qytetin e Shkodrës në prill të vitit në fjalë, pak metra larg banesës së viktimës, në lagjen "Mark Lulaj". Në momentin e krimit ajo ishte nën shoqërinë e motrës së saj, L. Qyteti. Sipas deklarimeve që vetë Katerina ka bërë në gjykatë gjatë shqyrtimit të dosjes në ngarkim të saj, ajo ka pohuar se vrasja ishte kryer dy muaj përpara dasmës së saj. Nën shoqërinë e së motrës, ajo kishte dalë për të gjetur fustanin e nusërisë, kur ka parë në rrugë 14 vjeçarin Z.H. Duke sjellë në mendje se i mituri i përkiste një familjeje që asaj i kishin vrarë babanë dhe xhaxhain vite më parë, ajo ka shkuar drejt shtëpisë së saj. Pas mbërritjes në shtëpi, ajo ka gjetur pistoletën e fshehur nga nëna e saj në garazhin e shtëpisë. Të dyja ato kanë shkuar sërish në vendin ku panë 14-vjeçarin dhe kanë qëlluar mbi të duke e lënë të vdekur. Pas ngjarjes ato janë arrestuar nga policia në ambientet e shtëpisë së tyre. Në përfundim të gjykimit ndaj dy motrave, Katerina u dënua me burg për akuzën e "vrasjes", ndërsa motra e saj u largua shpejt nga qelia, pasi ajo u gjet fajtore vetëm për "armëmbajtje pa leje". Që prej dënimit të saj, Katerina ka përfituar disa herë ulje dënimi, që variojnë nga një deri në tre muaj. Ndërsa Saimir Krosi është futur në qeli pasi ka rrahur deri në vdekje motrën e bashkëshortes së tij. Ngjarja zë fill në datën 18 gusht të vitit 2001, në banesën e çiftit Krosi në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet. Pak ditë më parë, në banesën e Krosit po jetonte edhe kunata e tij, familja e së cilës jetonte në Kavajë. Vajza e re u rrah mizorisht nga Krosi në banesën e tij. Duke e parë në një gjendje shumë të rëndë, vetë Krosi ka lajmëruar vjehrrin e tij në Kavajë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur së bashku me bashkëshorten e tij. Pas gjetjes së vajzës së tij në gjendje të mjerueshme, vjehrri i Krosit bëri një kallëzim në polici, pa ditur se kush ishte autori. Për shkak të largimit të tij, policia "etiketoi" menjëherë si autor Krosin. Nga dhuna mbi të, kunata e Krosit pësoi vdekje klinike dhe pas tre ditësh nga ngjarja ndërroi jetë.
Uljet e dënimit
Për të përfituar ulje në dënimin e dhënë, të dënuarit duhet t'i drejtohen gjykatës me anë të një kërkese. Gjithashtu, personi i dënuar duhet të përmbushë disa kritere që kërkesa e tij të pranohet. Kriteret e nevojshëm kanë të bëjnë me sjellje të mirë gjatë qëndrimit në burg, si edhe moskrijimin e problemeve me drejtuesit e burgut, si edhe me personat e tjerë bashkëvuajtës.