E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 60-vjeçari vdes duke pastruar pusin e ujit

TIRANE Një 60-vjeçar humbi jetën mëngjesin e djeshëm, pasi mbeti i asfiksuar nga gazrat e një pusi uji, ku ishte futur me qëllim për ta pastruar. Ngjarja ndodhi në fshatin Yzberisht në periferi të Tiranës, në oborrin e shtëpisë së viktimës, Agim Çibaku. Kanë qenë familjarët e kryefamiljarit Çibaku, ata që lajmëruan forcat e policisë në Komisariatin Nr.6, pasi panë që i afërmi i tyre nuk po dilte më nga pusi. Burime nga Policia sqaruan se brenda pak minutash pas lajmërimit, shkuan në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur nxjerrjen e viktimës nga pusi, i thellë rreth 5 metra, që shërbente për furnizimin e familjes me ujë. Ka qenë e panevojshme ndërhyrja e mjekëve për të kthyer në jetë 60-vjeçarin që, sipas Policisë, ishte asfiksuar dhe nuk kishte asnjë shenjë jete. Të njëjtat burime konfirmuan se rasti është i ngjashëm me atë të disa muajve më parë, kur në një pus në afërsi të Ndroqin, humbën jetën dy vëllezër, të asfiksuar nga gazrat që çliron toka në thellësi të caktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›