Ska konkurrencë për shefat e pavijoneve
Ditën e hënë nis shqyrtimi i dosjeve për garën e shefave të rinj të shërbimit në spitalin Nënë Tereza. Nga sa u bë me dije dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, shumica e aplikantëve për shefa shërbimesh në QSUT rezulton se janë aktualisht në pozicione drejtuese në pavijone.Në këtë konkurs më shumë se gjysma nuk kanë rivalë. Nga 57 shërbime në 35 prej tyre ka 1 kandidaturë , pra automatikisht dihet fituesi.Konkurrenca është e tillë që në tre shërbime ka konkurrencë me tre kandidatë, në 19 shërbime, konkurrencë me dy kandidatë dhe 35 shërbime ka vetëm nga një kandidatë. Ka një pjesë të madhe shërbimesh dhe ky është një problem që ka nga një kandidat të vetëm. Kjo nuk do të thotë në opinionin tim që automatikisht do të përcillen dhe miratohen ata, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas Kules, bordi që do të merret me shqyrtimin e dosjeve mund të shohë shkrirjen e disa shërbimeve, të cilat nuk janë efiçente.Do të ketë një ristrukturim të shërbimeve nëse bordi do ta shohë të arsyeshme pas prezantimit të kandidaturave. Jo domosdoshmërisht fiton kandidati që garon i vetëm, tha Kule. Aktualisht, aplikantët konkurrojnë për 57 shërbime. Procesi i përzgjedhjes pritet të përfundojë brenda këtij muaji. Në garë marrin pjesë 38 profesorë dhe 30 profesorë të asociuar. Për herë të parë shefat e shërbimeve do të drejtojnë dhe departamentet e Fakultetit. Komisioni i Vlerësimit do të marrë vendime kolegjiale me 3/5 e votave. Dy kandidaturat e përzgjedhura i përcillen Bordit të QSUT-së. Kur ka vetëm një kandidaturë, pas shqyrtimit, ajo, automatikisht i paraqitet Bordit. Në rast kontestimi, Komisioni i Vlerësimit e përcjell për apelim pranë Bordit, thuhet në njoftimin e UT. Me ndryshimet që i janë bërë ligjit të arsimit të lartë, për herë të parë shefat e shërbimeve zgjidhen me këtë lloj procedure. Sipas rektorit të UT, ajo do të sjellë një standard të ri më transparent. Në fakt, ndryshimet nuk janë fort të ndjeshme për aq kohë sa pjesa më e madhe e shefave pritet të rikonfirmohen ata që janë aktualisht.
Protesta për pagat
Plot 133 mjekë specializantë kanë protestuar pasi nuk kanë marrë pagesën nga muaji prill deri në qershor. Protesta e zhvilluar dje përpara Fakultetit të Mjekësisë ka pasur dhe një tjetër arsye. Mjekëve të rinj që kryejnë specializimin pranë QSUT u është rritur tarifa e regjistrimit. Përfaqësuesit e kësaj proteste shprehen se nga 60 mijë lekë që paguan fillimisht, tani ajo është rritur me 40 mijë të tjera, kështu që u duhet të paguajnë një tarifë prej 100 mijë lekësh.
ZIRINA LLAMBRO