Universiteti Luarasi, diplomohen 127 juristë

Dje, gjatë ceremonisë në Universitetin Luarasi
Mes brohoritjesh, lotësh gëzimi e duartrokitjesh janë diplomuar dje 127 juristët e rinj të universitetit Luarasi. Ceremonia u organizua në Pallatin e Kongreseve, i cili u mbush plot nga familjarët, miqtë e të afërmit e të sapodiplomuarve. Gjenerata e pestë e studentëve të këtij universiteti, ndër më të vjetrit në tregun e arsimit privat në vend, mori njëkohësisht dy lloje diplomash. Sot diplomojmë dy breza studentësh. Kanë fatin të marrin diploma Master Shkencor të gjithë ata që i përkasin ciklit 4-vjeçar, diploma këto që tani merren për 5 vite. Shpërndajmë gjithashtu diplomat Bachelor për studentët e ciklit të parë 3- vjeçar, u shpreh Aleks Luarasi, rektori i universitetit Luarasi. Ai shtoi se universiteti është histori suksesi dhe këtë e dëshmojnë vetë studentët e diplomuar. Në këto 8 vite janë diplomuar 740 studentë. Rreth 80% e studentëve tanë janë punësuar fill pas vitit të parë të diplomimit, tha rektori Luarasi. Sipas tij, kurrikulat dhe standardet e mësimdhënies të ofruara në Universitetin që ai drejton kanë bërë që 33% e studentëve të jenë të punësuar sot në administratën publike. Në çdo ministri apo institucion shtetëror kemi sot minimalisht 2-3 nga ish-studentët tanë. Ndërkaq, 33% e studentëve që kanë marrë diplomat te ne janë punësuar në profesione të lira (avokat, noter). Po kështu, 34% të tjerë janë juristë në banka. Shifrat flasin vetë për pritshmëritë e të diplomuarve në Universitetin tonë, tha rektori Luarasi. Ai theksoi gjithashtu se në 5 brezat e studentëve, një pjesë e mirë e tyre janë pranuar në shkollat më në zë të Perëndimit pa dhënë provime shtesë. Do të doja të shtoja se diplomat janë të shoqëruara këtë vit edhe me suplementin e diplomës, i cili është dygjuhësh, në shqip dhe në anglisht, prej 12 faqesh, tha rektori i Universitetit. Në ceremoni ishte e pranishme, veç pedagogëve dhe figurave të tjera të njohura të arsimit, edhe zv.ministrja Nora Malaj: U uroj suksese studentëve të universitetit Luarasi. Nga ajo çka dëgjuam në prezantimin e rektorit, bëhet fjalë vërtet për diploma cilësore të justifikuara prej studentëve që i kanë marrë, të cilët janë të angazhuar në tregun e punës, tha Malaj. Sipas saj, arsimi privat sot ka shënuar hapa pozitivë mjaft të rëndësishëm dhe universiteti Luarasi, si një prej më të vjetërve në këtë treg, e dëshmon më së miri këtë fakt.
740 STUDENTE janë diplomuar në 8 vjet që prej hapjes së universitetit Luarasi. Dje morën diplomat 127 studentë, prej të cilëve 52 përfunduan ciklin e parë të studimeve me diplomën Bachelor, ndërsa pjesa tjetër që kanë përfunduar ciklin 4-vjeçar, morën Master Shkencor.