E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka më kohë, të miratohen nenet e përgatitura konsensualisht për Reformën Zgjedhore

03-07-2012 / Gazeta 55

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth


Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh dje në konferencën “Trashëgimia zgjedhore evropiane” se, “një rezultat i suksesshëm i reformës, i pasuar nga një zbatim i plotë dhe i ndershëm i kodit të ri zgjedhor, do të përbënte një kontribut të prekshëm në axhendën e reformave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj ndërkombëtare afatgjata”. Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth dhe gjatë kësaj konference gjeti rastin të lëshojë një apel për klasën politike shqiptare. Ai bëri thirrje për miratimin në kohë të reformës zgjedhore. “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që u korrespondon privilegjeve të mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të përmbushin detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë”. Na mbetet ende të shohim nëse udhëheqësit politikë të këtij vendi do të udhëhiqen nga një ndjenjë më e lartë përgjegjësie kundrejt qytetarëve dhe mirëqenies së tërë vendit. Është e rëndësishme të thuhet se deri tani është bërë një punë e madhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Vija e finishit është afër – por vetëm për ata me vullnet politik. Megjithatë, çdo reformë e miratuar në fund duhet të kërkojë konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe duhet të jetë në gjendje t’i rezistojë sprovave të kohës. Një rezultat i suksesshëm i reformës, i cili duhet pasuar nga një zbatim i plotë dhe i ndershëm i ligjit të ri zgjedhor, do të përbënte një kontribut të prekshëm në axhendën e reformave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj ndërkombëtare afatgjata. Mendoj se duhet të them, gjithashtu, se një përfundim në kohë i reformës nevojitet edhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë përgatitjet e duhura në mënyrë të efektshme. Përmbushja e kësaj detyre kërkon, mbi të gjitha, që udhëheqësit politikë t’i lënë mënjanë interesat partiake vetjake dhe të vënë në plan të parë vendin e të nderojnë besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai. Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë vlerësoi se Kodi, i miratuar nga Komisioni i Venecias në vitin 2002, përbën një dokument strategjik kyç në njohjen e zgjedhjeve universale, të barabarta, të lira, të fshehta, të drejtpërdrejta dhe periodike si veçoritë kryesore për të gjitha demokracitë e pjekura moderne. “Kodi ka ndihmuar suksesshëm harmonizimin e ligjeve zgjedhore të vendeve me standardet ndërkombëtare dhe në përcaktimin e procedurave më të mira për administrimin e zgjedhjeve. Kjo më sjell te çështja e reformës së Kodit Zgjedhor në Shqipëri, ku OSBE-ja, Prezenca në Shqipëri, i ka mëshuar me forcë përmbushjes së plotë të të gjitha standardeve zgjedhore ndërkombëtare”, tha ai. Investimin për zgjedhjet, Wollfarth e cilësoi si një investim për stabilitetin politik, prandaj ftoi politikën të tregojë përgjegjësi. “Në demokracitë e pjekura, shoqëria civile, përfshirë median, kontribuon në sistemin e krijimit të opinioneve, që çojnë drejt zhvillimeve dhe përfundimeve të rëndësishme, duke kontribuar kështu në funksionimin e sistemit kontrollues të checks and balances. Institucionet e këtij vendi sovran duhet të jenë të përgjegjshme. Përgjegjësia duhet të karakterizojë vullnetin politik dhe gjykimet e shëndosha të udhëheqësve të tij politikë. Përgjegjësia duhet të jetë e pranishme edhe në shoqërinë civile, e cila duhet të luajë rolin e saj të plotë në çuarjen përpara të ndryshimit”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›