E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska më marrëveshje as për ndarje mandatesh

Gjithçka zgjidhet sipas formulës së llogaritjes së mandateve, e vetmja marrëveshje do të mund të ishte ajo për përcaktimin paraprak të përfaqësimit në qeveri

Mënyra e ndarjes së mandateve ndryshe nga zgjedhjet e shkuara nuk do të shoqërohet me marrëveshje mes partive politike. Çdo parti e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të ketë listën e vet të kandidatëve. Kjo shmang kandidatët që kishin mbështetjen e dy-tri apo më shumë partive, siç ka ndodhur në të shkuarën. Por, që kandidatët të kishin mbështetjen e disa partive në zona të caktuara, sigurisht që kjo paraprihej nga një marrëveshje mes tyre. E nëse në zgjedhjet e shkuara vetëm procesi i negociatave zgjaste disa muaj, në zgjedhjet e 2009-ës nuk do të ketë të tilla. Çdo parti do të ketë listën e vetë të kandidatëve në çdo rajon. Madje edhe ato që do të jenë pjesë e koalicioneve, do të duhet të kenë në bazë të kodit të ri zgjedhor jo më pak kandidatë se gjysma e mandateve që merren nga secili rajon. Aktualisht “të mëdhenjtë” e “të vegjlit” janë duke negociuar për të gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me pikat e tjera të kodit, por kurrsesi nuk mund të ketë marrëveshje në mbështetje të kandidatit të njëri-tjetrit. E vetmja mënyrë për të bërë këtë do të ishte regjistrimi i partive vetëm në emrin e një koalicioni e jo me siglën e tyre. Kjo do të humbiste identitetin e partive që do të ishin pjesë e koalicionit, e kandidatët që do të merrnin mandatin e deputetit nuk do të përfaqësonin partinë politike, por gjithë subjektet përbërëse. Aktualisht, e vetmja marrëveshje e fshehtë që mund të bëhet mes subjekteve politike, mund të jetë ajo për periudhën paszgjedhore. Pra, përpara se një parti të pranojë të jetë pjesë e një koalicioni, mund të negociojë paraprakisht për përfaqësimin saj në qeverinë e ardhshme. Pra, partia “A” mund të negociojë me partinë “B”, duke i kërkuar kësaj të fundit domosdoshmërish përfaqësimin në ekzekutiv, nëse zgjedhjet do të fitohen nga koalicioni i tyre. E njëjta gjë mund të ndodhë për numrin e ministrive, apo cilësimin se cilat ministri do. Pra, ky mund të jetë negocimi i vetëm i aktorëve të politikës. As për “bishtat” nuk mund të negociohet, pasi gjithçka funksionon në bazë të formulës së përllogaritjes së votave. P.sh, nëse PS-PSD-LSI-PDS do të jenë pjesë e të njëjtit koalicion, as për shkëmbimin e presjeve dhjetore të përqindjes së votave nuk do të mund të negociohet. Mandati i diskutueshëm merret nga partia që ka përqindjen më të lartë. Nëse PS-ja ka 8 për qind të votave dhe duhen edhe 2 për qind për të marrë mandatin, këtë përqindje ia merr aleatit që ka më shumë vota, ose e anasjella. Madje mund të ndodhë që edhe të vegjlit t’i japin vota njëri-tjetrit, edhe nëse nuk do të duan ta bëjnë një gjë të tillë, pasi e tillë është formula. Pra, ndryshe nga sa ndodhur në të shkuarën, që marrëveshjet për kodin zgjedhor shoqëroheshin edhe me ato për ndarjen e mandateve mes palëve, nuk do të ekzistojnë në zgjedhjet aktuale. Edhe aktualisht palët mund të negociojnë me të mëdhenjtë për pikat e tjera të kodit, por jo për ndarjen e mandateve mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›