5000 kandidatë për 140 vende

Raporti fitues-humbës 1/35
Përcaktimi në Kodin e ri Zgjedhor i koalicioneve të përbërë dhe i numrit të kandidatëve për secilën parti politike duket se do të sjellë edhe një numër të lartë kandidatësh, që shkon deri në 5000 mijë kandidatë për 12 rajone. Madje ky numër mund të pësojë edhe rritje, në rast se forca të veçanta politike vendosin të dalin të vetme në zgjedhje dhe jo pjesë e një koalicioni. Në Kodin e ri Zgjedhor përcaktohet se “numri i kandidatëve në listën shumëemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete ose e koalicionit, është jo më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël se gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse”. Sipas këtij përcaktimi të kodit, nëse një parti politike do të kandidojë e vetme në zgjedhje, atëherë duhet të ketë 140 kandidatë, ndërsa nëse kandidojnë si pjesë e një koalicioni, atëherë lista duhet të përmbajë minimumi 70 kandidatë. Kështu, nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë me Kodin e ri Zgjedhor, duke iu referuar edhe zgjedhjeve të kaluara parlamentare, ku morën pjesë 57 forca politike, në 12 qarqet e vendit do të kemi rreth 5000 kandidatë. Ndërkohë, partitë e tjera si pjesë të koalicionit të majtë, të djathtë apo të ndonjë koalicioni tjetër janë të detyruara që të dalin në zgjedhje me minimumi 70 kandidatë, duke bërë që numri i kandidatëve të jetë shumë i lartë dhe duke rritur më shumë konkurrencën. Ndërkohë, kodi përcakton se 30 për qind e kandidatëve duhet të jenë femra, duke bërë kështu që brenda 5000 kandidatëve, rreth 1500 të jenë femra.
Partitë parlamentare
Aktualisht, pjesë e parlamentit janë pothuaj 14 subjekte politike, po të përfshijmë këtu edhe partinë e re të Petro Koçit dhe partinë e re që pritet të krijojë Spartak Ngjela. Disa nga këto forca politike kanë nisur të bëjnë planet sesi do të dalin në zgjedhjet e ardhshme. Dy forcat kryesore politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, do të dalin në zgjedhje me 140 kandidatë ose me më pak, në varësi të marrëveshjeve me forcat e koalicionit të tyre. Deri tashmë, Partia Demokristiane e Nard Ndokës ka deklaruar se do të dalë në zgjedhjet e ardhshme e vetme, duke nxjerrë 140 kandidatët e saj. Ndërkaq, edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk ka lidhur koalicione parazgjedhore më parë, dhe nëse vendos që edhe në këto zgjedhje do të dalë e vetme, atëherë duhet të nxjerrë në “lojë” 140 emrat e saj. Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera që do të dalin në koalicionin e tyre. Po ashtu, edhe Spartak Ngjela ka deklaruar më parë se, pas krijimit të forcës së tij politike, gjë e cila nuk ka ndodhur akoma, do të dalë i vetëm në zgjedhje. Në këtë mënyrë, me rritjen e numrit të partive që duan të provojnë proporcionalin, rritet edhe numri i kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhje.
Partitë joparlamentare
Forcat politike joparlamentare gjenden para disa zgjidhjesh. Zgjidhja e parë është ajo e bashkimit me disa forca parlamentare ose joparlamentare të tjera dhe regjistrimi si koalicion me lista të përbashkëta, gjë e cila varet nga Kodi Zgjedhor përfundimtar. Një zgjidhje tjetër është ajo e daljes në koalicion me lista të veçanta, por në këtë pikë duhet që secila forcë politike të ketë minimumi 70 kandidatë për 12 rajonet e vendit. Pastaj ka edhe zgjidhje të tjera, si shkrirja mes tyre ose përballja vetëm e zgjedhësve, duke nxjerrë në zgjedhje 140 kandidatë secila. Megjithatë, tek forcat politike shumë të vogla kjo mund të shkaktojë edhe probleme tek burimet njerëzore. Nuk do të jetë e lehtë për këto forca politike që të gjejnë 5 kandidatë për të kandiduar në një rajon që ka 5 mandate parlamentare, kur në garë për këto 5 mandate janë forcat e mëdha politike që janë edhe pjesë e parlamentit. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse lista e këtyre forcave do të mbushej me kandidatë fiktivë që futen në zgjedhje, duke e ditur se nuk do të fitojnë.
Opsioni i listave të përbashkëta
Aktualisht, dalja e forcave politike me lista të përbashkëta duket pothuajse e pamundur. E vetmja mundësi, sipas deklaratave të dhëna për “Korrierin” pak ditë më parë nga Spiro Peçi, Engjëll Bejtaj dhe Spartak Braho, është “pothuajse shkrirja” e forcave politike dhe regjistrimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me emrin e koalicionit dhe jo me emrin e subjekteve politike. Megjithatë, edhe kjo zgjidhje për partitë parlamentare nuk është shumë e favorshme, sepse do të sillte edhe humbjen e emrit të tyre. Ndërsa për forcat joparlamentare, kjo mund të ishte një zgjidhje e përshtatshme.