E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotokopje

Kryesia e PD-së ndryshon statutin dhe e bën njësoj si i PS-së

Partia Demokratike kopjon skemën e organizimit të Partisë Socialiste. Skema e re e organizimit të strukturave të PD-së që u miratua brenda 25 minutave në mbledhjen e mbrëmshme të Partisë Demokratike, është identike me skemën e përcaktuar aktualisht në statutin e Partisë Socialiste. Në mbledhjen e pasdites së djeshme, kryesia e Partisë Demokratike miratoi ndryshimin dhe ristrukturimin e partisë në katër nivele të reja. Niveli i parë do të jetë seksioni si strukturë bazë e Partisë Demokratike, i cili do të jetë për çdo qendër votimi. Po ashtu, edhe në statutin e Partisë Socialiste përcaktohet që struktura bazë është “Organizata Socialiste”, e cila është një strukturë për çdo qendër votimi. Për sa i përket nivelit të dytë, Partia Demokratike do të ketë “Grupseksionet”, strukturë e bazuar në rang komunash dhe bashkish të vogla, si Patosi, Miloti apo Shëngjini. Kurse struktura e dytë e Partisë Socialiste është “Asambleja Socialiste”, e cila gjithashtu është strukturë që përputhet me njësitë administrative komunë ose bashki. Ndryshimi tjetër që miratoi mbrëmë kryesia e Partisë Demokratike, ishte niveli i tretë, që është “Dega”. Ky nivel bazohet në rang nënprefekture ose rrethi. Po ashtu, struktura e nivelit të tretë tek Partia Socialiste bazohet tek rrethi dhe emërtohet “Këshilli Socialist”. Ndërkaq, niveli i katërt i strukturës së Partisë Demokratike do të jetë në rang qarku dhe do të jetë një strukturë kryesore, kjo bazuar edhe në rajonin elektoral që u përcaktua nga ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ndërkaq, niveli i katërt i strukturave të Partisë Socialiste është në rang qarku dhe ka emërtimin “Konferenca Socialiste”. Përveç ngjashmërive të mësipërme, të cilat diktohen edhe nga sistemit elektoral, që është proporcional rajonal, një detaj tjetër “i kopjuar” nga socialistët është ajo e mandatimit të koordinatorit nga qendra. Tek Partia Socialiste, koordinatorët që dërgohen nga qendra nëpër rajone cilësohen “Sekretarë Rajonalë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›