E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të fitojmë, sepse kemi alternativën më të mirë

Sekretari i Programit Politik thotë se drafti i programit do të jetë gati në janar-shkurt 2009

Andis Harasani as që e vë në dyshim fitoren e së majtës në zgjedhjet e 2009-ës. Madje, në një intervistën e tij për “Korrierin” ai tha: “Oferta që PS-ja po përgatit është shumë më e mirë, është shumë më reale sesa gënjeshtrat e vazhdueshme të qeverisë “Berisha”. Jemi të bindur që do të fitojmë zgjedhjet, sepse ne kemi alternativën më të mirë, dhe jo se Berisha do të humbë zgjedhjet”. Deputeti i PS-së shtoi se një tjetër arsye pse Berisha nuk mund të marrë më vota. Kjo për vetë faktin se ai shpërdoroi votën e marrë më 3 korrik. Lidhur me marrëdhëniet brenda së majtës, Harasani mendon se socialistët duhet të punojnë brenda bazës së PS-së për të marrë votat e tyre, ndërsa më pas të flitet për aleancat e mundshme. Ai kërkon që të mos vazhdojnë më kritikat brenda partive të majta dhe e shton se Meta ka politikën e vet dhe se vazhdon politikën e vet. Sekretari i Programit Politik në PS thotë se drafti i programit do të jetë gati brenda janar-shkurtit 2009

-Ç’po bëhet me programin e ri të PS-së?

Andis Harasani: “Ka filluar pjesa e dytë e turit. Në qoftë se në pjesën e parë morëm mendimet nga të gjithë rrethet, shkuam fshat më fshat për të marrë mendimet e njerëzve, gjatë verës këto mendime u përpunuan nga grupi i ekspertëve brenda PS-së, nga të gjithë ekspertët e huaj që po punojnë pranë PS-së e me PS-në. Kemi ekspertë hungarezë, bullgarë, çekë, kemi ekspertë në Itali, në Francë e Gjermani. Kemi përpunuar një bazë shumë të madhe të dhënash. Ka filluar tani pjesa e dytë e turit, ku kryetari i partisë së bashku me sekretariatin e programit dhe me gjithë kryesinë e partisë po shkon përsëri në të gjithë vendet ku ka pasur takimet e pjesës së parë të turit dhe po u kërkon mendim qytetarëve dhe fshatarëve, për mënyrën sesi ne i kemi “lexuar” shqetësimet e tyre”.

-Kur do të nisë shpallja e programit?

“Kjo pjesë e turit besoj se do të mbarojë brenda dhjetorit të vitit 2008 dhe në janar-shkurt ne do të nxjerrim draftin e parë të programit. Dua të ritheksoj përsëri, që do të jetë një program ndryshe nga programet e tjerë. Këtë e tregon edhe fakti që ka rreth dy vjet, apo më saktë dy vjet e gjysmë që punohet për këtë program. Pra, nuk është një program i minutës së fundit. Nuk është një program i marrë nga interneti dhe i përfshirë, por është një program real, që ka kosto me faturë financiare dhe me burimet e financimit të secilit projekt. Është një program 8-vjeçar, sepse jemi të bindur që problemet e mëdha që ka pasur ky vend në 18 vite tranzicion, nuk janë probleme që zgjidhen me 6 muaj dhe me 100 ditë. Këtë muaj ne do të fillojmë përsëri takimet me të gjithë ekspertët brenda dhe jashtë Shqipërisë, me gjithë ekspertët e huaj po ashtu, në mënyrë që në janar-shkurt të kemi gati draftin e programit, i cili do të hidhet pastaj në popull. Dua të theksoj faktin, që jam shumë optimist për programin, për arsyen sepse nuk janë vetëm anëtarët socialistë ata që kanë kontribuar gjithmonë, por kemi kontribute nga të gjitha shtresat e shoqërisë, kemi kontribute nga njerëz politikë dhe jopolitikë. Kemi kontribute shumë të vyera edhe nga specialistë të djathtë, të cilët kuptohet, në kushtet ku jetojmë nuk kanë dashur të identifikohen, por kemi shumë-shumë njerëz të cilët aktualisht punojnë nëpër ministri dhe që na kanë ndihmuar shumë me sugjerimet e tyre dhe me idetë e tyre”.

-Cili ka qenë reagimi i qytetarëve në fillim të turit të dytë?

“Është ende herët për të folur. Nuk duam që të na kapë optimizmi më shpejt seç duhet. Duam të qëndrojmë me këmbë në tokë, çka është dhe këshilla numër një e kryesisë së partisë për bërjen e programit, por mendoj që qytetarët dhe fshatarët kanë qenë të kënaqur me mënyrën sesi i kemi shoqëruar dhe ajo çka është pozitive për mendimin tim, është fakti që ka një kërkesë të lartë llogarie, dhe gjithashtu ka një kërkesë të lartë sugjerimesh e idesh. Pritshmëria për këtë program është shumë e madhe, çka vë edhe detyra përpara nesh”.

-Më konkretisht, mund të më sqaroni dy-tri pikat kryesore të programit?

“Ne akoma jemi duke punuar. Ne akoma jemi duke nxjerrë se kush janë prioritetet. Sigurisht që janë fiksuar tre-katër prioritete. Është arsimi, është bujqësia..., por më konkretisht besoj do të jetë kryetari i partisë, i cili do të dalë me pikat dhe me mënyrat sesi do t’i zgjidhim këto pika”.

-Si i shikoni shanset e së majtës për të triumfuar në zgjedhjet e 2009-ës?

“Besoj që është evidente për këdo, duke filluar nga kryeministri aktual, profesor doktor Sali Berisha, deri tek qytetari shqiptar më i thjeshtë, që koha e qeverisjes së PD-së ka mbaruar. Ka mbaruar për dy arsye: në radhë të parë sepse ka shpërdoruar në mënyrë masive votën e shqiptarëve të 2005-ës dhe, në radhë të dytë, oferta që PS-ja po përgatit është shumë më e mirë, është shumë më reale sesa gënjeshtrat e vazhdueshme të qeverisë “Berisha”. Jemi të bindur që do të fitojmë zgjedhjet, sepse kemi alternativën më të mirë, dhe jo se Berisha do të humbë zgjedhjet. Kjo është ajo që ne do të synojmë. Zhvillimet brenda kampit të majtë vazhdojnë të jenë ato zhvillime që i dinë të gjithë, por detyra kryesore e PS-së dhe armiku kryesor i PS-së është vetë Partia Socialiste. Ne kemi mjaftueshmërisht vota për të ardhur në pushtet. Dhe mendoj që mjafton të punojmë brenda bazës së PS-së, që të marrim çdo votë, që është vota jonë dhe pastaj në 2009-ën do të flitet për aleanca të mundshme”.

-A ka më kuptim vazhdimi i së njëjtës logjikë nga zoti Meta?

“Zoti Meta është parti më vete. Është një parti e spektrit opozitar. Çdo parti ndjek politikën e vet dhe unë mendoj që nuk është e arsyeshme që ne merremi me “cic-micet” e tranzicionit, ku fillojmë e kritikojmë njëri-tjetrit. Zoti Meta ka politikën e vet dhe vazhdon politikën e vet”.

-Fushata e 2009-ës a duhet të jetë e ngjashme me atë të 2005-ës?

“Unë nuk mund të flas për partitë e tjera, unë mund të flas vetëm për PS-në”.

-Që do të thotë...

“Që do të thotë se PS-ja do të vazhdojë punën me elektoratin e saj, për të shënuar fitoren në zgjedhjet e 2009-ës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›