Grabitja e kambistit, dyshohen njerëzit e tij më të afërt
TIRANË - Grabitësit e kambistit Fari Fanxho kanë ditur me përpikmëri çdo lëvizje të tij, deri tek shuma që do të kishte me vete mëngjesin e djeshëm. Grabitja me armë e 50 mijë eurove nga persona ende të paidentifikuar, nuk është zbardhur ende nga specialistët e Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë, ndërkohë që sipas burimeve të besueshme policore mësohet se deri tani janë shoqëruar rreth 15 persona. Ndërsa nga burime konfidenciale mësohet se personat kanë qenë duke udhëtuar me një makinë tip “Fiat” me targë të huaj 136. Një dëshmitar okular mësohet të ketë parë të gjithë skenën dhe të ketë dhënë edhe ndihmën më të madhe për policinë, ndërkohë që Fanxho, lindur në Korçë e banues në Tiranë, është i plagosur dhe duket se nuk ka dhënë ndonjë dëshmi të qartë në lidhje me ngjarjen.
Grabitja
Rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm, Fari Fanxho, 55 vjeç, ka qenë duke dalë nga pallati i tij në rrugën “Gjergj Fishta”, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Të paktën dy persona kanë pritur momentin që ai po hipte në makinën e tij dhe kishte në dorë çantë me shumën e lekëve, të cilat i kishte për punën e përditshme të kambizmit. Pasi e kanë kapur nga mbrapa, e kanë qëlluar pas koke me send të fortë. Më pas janë larguar me shpejtësi me makinë, duke lënë të gjakosur 55-vjeçarin. Një komshi i pallatit ku jeton Fanxho ka parë të gjithë skenën dhe i ka dhënë menjëherë ndihmën e parë të njohurit. Paralelisht janë njoftuar edhe patrullat e përgjithshme të Komisariatit Nr. 2, të cilët kanë lajmëruar më pas edhe specialistët e Seksionit të Grabitjeve me Dhunë dhe Armë. Pas ngritjes së grupit hetimor, u ngritën edhe postblloqe në pikat më kryesore për kapjen e autorëve. Sipas burimeve konfidenciale, bëhet e ditur se skenari i grabitjes dyshohet të jetë organizuar nga persona të afërt me Fanxhon, të cilët kanë ditur mirë orarin e daljes së tij të përditshëm nga shtëpia dhe shumën e parave që mbante me vete. Ndërkohë që në familjen Fanxho asnjë nuk pranon të flasë. Derën e shtëpisë e hap bashkëshortja e Fariut, e cila pasi të sqaron se burri i saj është i traumatizuar dhe nën kujdesin e mjekëve, për shkak të plagës së marrë në kokë, nuk mund të flasë fare në lidhje me ngjarjen. “Nuk kemi asgjë për të deklaruar. Brenda kemi plot njerëz dhe Fariu nuk është në gjendje të flasë. Është sëmurë”, -janë fjalët e vetme që mund të marrësh nga familja, e cila që në kontaktin e parë duket e lodhur nga e gjithë ajo që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm. Ndërsa komshinjtë dhe personat e zonës aty pranë, që e njohin nga afër familjen dhe 55-vjeçarin, shprehen se Fanxho është një burrë shumë i sjellshëm, shumë punëtor dhe me një familje shumë të mirë.