E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka më shirit për zërat e vjetër



Jeta e mëtejshme e shiritave zanorë të vjetër ishte e kërcënuar prej paqëndrueshmërisë së komponentëve kimikë. Sot prezantohet mbyllja e një prej projekteve më të rëndësishme për antropologjinë tonë kulturore; dixhitalizimi i arkivit zanor të Institutit të Antropologjisë Kulturore

Fondet e vjetra arkivale të Institutit të Kulturës Popullore në një vëllim prej afërsisht 1200 orësh, si dhe disa shirita problematikë, i shpëtojnë rrënimit. Jeta e shiritave zanorë të vjetër ishte e kërcënuar prej paqëndrueshmërisë së komponentëve kimikë.

Dje, në një njoftim për mediat, Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me fonogramarkivin e Akademisë së Shkencave të Austrisë, nën kujdesin e Ambasadës Austriake, bëjnë të ditur se është mbyllur një nga projektet më të rëndësishme për kulturën tonë etnografike - dixhitalizimi i arkivit zanor të Institutit të Antropologjisë Kulturore. Ky është një projekt pilot për sigurimin dixhital jetëgjatë të trashëgimisë kulturore dhe shkencore që përfshin jo vetëm Shqipërinë, por dhe Kosovën, e Maqedoninë. Që prej viteve ’50, Instituti i dikurshëm i Folklorit dhe më pas i Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave kishte mbledhur, zhvilluar dhe ruajtur një koleksion të veçantë regjistrimesh zanore prej sferës etnografike. Drejtuesit e institutit tregojnë se kanë qenë në kontakt me Fonogramarkivin e Vjenës që prej vitit 1963. Drejtuesi i projektit, Dr. Schuller, e ka njohur nga afër këtë arkiv duke kryer vizita personale gjatë viteve 1973, 1978 dhe 1995 dhe arkivi renditej ndër më të mirëorganizuarit në Evropën Lindore dhe veçanërisht juglindore. Koleksioni zanor pasqyron veçanërisht një fond kulturor kombëtar të transmetuar në mënyrë gojore gjatë 50 viteve të fundit. Ky koleksion vlerësohet si një pjesë e rëndësishme e burimeve për historinë kulturore shqiptare dhe një korpus shkencor të pazëvendësueshëm për studimet (etno)muzikologjike, antropologjike-kulturore (etnografike) dhe gjuhësore. Ashtu sikurse të gjithë koleksionet e këtij lloji në Evropën (Jug)lindore, edhe arkivi shqiptar vuajti nën gjendjen e ngushtë financiare pas kthesës politike.

“Por mbi të gjitha, jeta e mëtejshme e shiritave zanorë të vjetër qe veçanërisht e kërcënuar prej paqëndrueshmërisë së komponentëve kimikë. Dhe një sigurim jetëgjatë i fondeve audio-vizuale mund të arrihet vetëm me anën e dixhitalizimit”, - thuhet në njoftimin për shtyp, ku bëhet dhe një historik i shkurtër se me çfarë është përballur ky projekt. Pas përpjekjeve të gjata, në të cilat qe përfshirë edhe prof. Tilmann Sebass nga Universiteti i Insbrukut, dhe me nismën e Ambasadës Austriake në Tiranë, Agjencia Austriake për Zhvillim mori përsipër financimin e projektit në shumën totale prej 180.000 eurosh në fund të vitit 2005. “U siguruan aparatura moderne për të dëgjuar shiritat zanorë analogë, stacione të punës audio për dixhitalizimin e shiritave, një server për ruajtjen e dosjeve arkivale dixhitale dhe një stacion dëgjimor dixhital, të cilat u instaluan në bashkëpunim prej specialistëve të Vjenës dhe Tiranës”.

Gjithashtu është kryer edhe një mision për zbulim faktesh duke vizituar disa arkiva audiovizualë në Kosovë dhe Maqedoni dhe u diskutuan mundësitë e një bashkëpunimi në të ardhmen dhe përfshirjen e tyre në këtë projekt.

Por ky projekt lidhet edhe me ristrukturimin e organizmit të shkencës shqiptare. Instituti i Kulturës Popullore, i atashuar fillimisht pranë Akademisë së Shkencave, do t’i caktohej Qendrës së Studimeve Albanologjike nën drejtimin e Prof. Dr. Ardian Marashit si Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit. Nën organizimin e Qendrës gjendet edhe Instituti i Gjuhësisë, i cili disponon gjithashtu fonde zanore të rëndësishme. Sipas njoftimit për shtyp ky riorganizim do të shoqërohet dhe më një strehim të koleksioneve në një ambient të ri me hapësira të përshtatura për arkivat dhe laboratorët. Kompletimi i ambientit të ri pritet në vjeshtë të 2010-ës. Ekipi kryesor i projektit janë drejtori i Fonogramarkivit të Austrisë, Prof. Dr. Rudolf M Brandl, Dr. Dietrich Schuller, drejtues i Projektit, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Prof. Dr. Ardian Marashi, Drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore, Prof. Dr. Miaser Dibra.

Në një marrëveshje të përbashkët të ekipit të mësipërm për një sigurim extra, një pjesë e kopjes së dixhitalizuar do të ruhet në Fonogramin e Vjenës me të drejta disponimi të kufizuara.

Përgatiti: V.M

Trebicka: Humor i zi në Ballkan

Është vënë në skenë këto 3 ditë në Akademinë e Arteve komedia “Kolonel Zogu”, me regjisor Alfred Trebickën. Komedia e shkruar nga dramaturgu bullgar, Hristo Bojçev, përcjell një gërshetim të natyrshëm të humorit me absurdin. Ngjarjet në këtë komedi vendosen në një manastir të braktisur, i cili është shndërruar në një spital psikiatrik. Të gjithë në këtë spital kishin probleme të veçanta nga njëri-tjetri, por që mund të identifikohen lehtë me njerëz që bëjnë pjesë në kategori të ndryshme shoqërore. Përpjekja e dështuar e doktorit për të vënë në dijeni qendrën për situatën, bën që gjendja në Manastir të mos ndryshojë. Për pacientët shpëtimi i shumëpritur vjen nga OKB. Në këto momente, koloneli, i cili deri tani nuk kishte thënë asnjë fjalë e nuk kishte bërë asnjë gjest, zgjohet dhe vihet në veprim. I detyron të gjithë personazhet të ndjekin urdhrat e tij. Për botëkuptimin e tyre bëhet e domosdoshme, gati obsesive, vënia në kontakt me botën e jashtme, me organizmat ndërkombëtarë si: NATO, KE apo BE. Personazhet kërkojnë ta vendosin këtë kontakt nëpërmjet zogjve postierë. Në fakt hapen vetëm rrugët e komunikimit me botën e jashtme, por jo rrugët e lëvizjes së lirë. Shfaqja mbyllet me personazhet, të cilët shpresojnë që të kenë mundësi të integrohen sa më shpejt në botën e jashtme, ku luajtën aktorët Romir Zalla (koloneli), Marin Orhanasi (Ivanov), Hysen Mullajonuzi (doktori), Eriona Kakeli (Zonjusha Bepa), Salsano Rrapi (Kiro) etj.

Në intervistën e mëposhtme regjisori Alfred Trebicka tregon pse përzgjodhi këtë pjesë për skenën shqiptare dhe si adaptohet në realitetin skenik vepra e dramaturgut bullgar.

Çfarë ndryshimi është bërë në pjesën teatrale nga drama e shkruar?

Kam bërë shumë pak ndryshime, gjëra të vogla janë. Më tepër janë improvizime mbi materialin dramaturgjik, pra detaje që kanë të bëjnë me skenën. Por 99% është vepra, siç e ka shkruar autori.

Veprën e ka shkruar një dramaturg bullgar, si vjen ajo në realitetin shqiptar?

Megjithëse veprën e ka shkruar një dramaturg bullgar, realitetet ndërthuren bukur me atë shqiptar. Është e njëjta mendësi, e njëjta psikologji. Janë të njëjtat halle, të njëjtat probleme. Dramaturgu e ka shkruar veprën, në kohën kur Bullgaria po bënte përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në NATO edhe për t’u integruar më tej në strukturat evropiane. Kjo, lidhet pastaj edhe me realitetin tonë që po ndjekim të njëjtën rrugë, si të gjitha vendet e Ballkanit. Por fakti që vepra e një autori ballkanas përputhet me realitetin tonë e të shumë shteteve ballkanike, mendoj se vjen pasi në përgjithësi Ballkani ka të njëjtën psikologji, të njëjtën mënyrë të perceptimit qoftë të shtetit të vet, qoftë të institucioneve ndërkombëtare.

Çfarë mund të thoni për zhanrin e veprës?

Është një vepër e cila është sa komike aq edhe tragjike. Pra është një komedi - tragjike ose një tragjedi – komike, mund ta etiketosh si të duash. Nuk është zhanër i pastër komedi apo dramë, por një miks. Ka edhe elementë të absurdit brenda, ka edhe elementë të komedisë së zezë. Por në qoftë se do ta përcaktonim si zhaner ose gjini dramaturgjike është një komedi tragjike e mirëfilltë. Sepse nëpërmjet humorit, metaforës, apo sarkazmës ai prek të gjitha ato plagë që janë prezente në të gjithë territorin ballkanik. Jo vetëm në Bullgari prej nga është autori por janë edhe në Shqipëri apo në Serbi Në të gjithë territorin që quhet Ballkani, apo Evropa Jugperëndimore, siç e etiketon edhe autori herë pas here.

Çfarë keni gjetur të veçantë tek kjo komedi, që keni vendosur ta vini në skenë?

E veçanta është se autori është shumë aktual dhe gjuha dramatike dhe filozofia qe ai hedh ne veprën e tij është shumë origjinale. Sigurisht përveç mesazheve që përcjell vepra janë edhe elementë të tjerë. Gjuha e karaktereve, dialogu, vendi i veprimit, rrethana në të cilën autori i vendos ngjarjet që për mendimin tim është një gjetje e origjinale e tij dhe jo një klishe e diçkaje tjetër. Ndoshta ky origjinalitet i ka dhënë veprës edhe vlerësimet maksimale nga institucione elitare teatrore. Vepra është vlerësuar me çmimin si drama më e mirë e vitit në vitin 2005, në Evropë, dhe autori ka marrë edhe çmimin “Harold Pinter” në Britaninë e Madhe, që është një nga çmimet më prestigjioze, për dramaturgjinë është gati-gati si çmimi “Pulizer”, i cili jepet në Amerikë për letërsi. Sigurisht nuk është puna se është vepër e mirë vetëm sepse ka marrë çmime por ajo është vërtetë e tillë. Është një vepër aktuale, moderne, ku absurdi apo surrealja i japin shumë dorë për ta vendosur veprimin konkret skenik në një mënyrë sa më origjinale. Autori nuk të kondicionon që është ky ambienti dy dhoma dhe një kuzhinë dhe këtu duhet ta bësh, s’ke ç’të bësh tjetër.

Çfarë mund të thoni për kastin e aktorëve?

Teatrin preferoj ta bëj me aktorë të njohur. Pothuajse i gjithë grupi i aktorëve, janë një plejadë e aktorësh të cilët i njoh, kam punuar me ta që në fillesat e tyre. Qoftë Romiri, Marini, Erjona, Salsano, të gjithë aktorët janë një grup aktorësh me të cilët kam punuar edhe projekte të tjera dhe mendoj që i njoh shumë mirë si aktorë. Në rastin konkret unë jam i kënaqur me aktorët sepse u krijua atmosfera e grupit. Puna në ekip, në grup, është një nga momentet kryesore në punën e një regjisori me një trupë aktorësh. Përderisa unë i kam zgjedhur ata aktorë do të thotë se i vlerësoj. Por mund të pëlqesh aktorët, i zgjedh, pastaj nuk funksionon. Në këtë rast unë kam ndier kënaqësi pasi mendoj se ka funksionuar shumë mirë. Qoftë krijimi i grupit, qoftë vendosja e aktorëve në karakteret përkatëse. Nivelin sesa ata e arrijnë rrolin apo karakterin e gjykon spektatori, e gjykon opinioni artistik, opinioni kritik, opinioni publik. Për mua janë shumë të mirë të gjithë.

Duke parë reagimin e publikut, si mendoni se e ka pritur shfaqjen?

Qoftë në shfaqjet e Elbasanit, qoftë në shfaqjet që kemi dhënë këtu, unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me reagimin e publikut. Duket që vepra ka përcjellë mjaft emocion tek publiku dhe ai ka reaguar në bazë të këtyre emocioneve që ka paraqitur vepra.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Janë disa projekte. Kam paraqitur një projekt në Teatrin Kombëtar që pres të aprovohet. Në fakt është aprovuar në parim, por siç janë këto mekanizmat burokratike, politike. Unë jam pak anarkist nga ana politike, jam kundërshtar me të tërë sepse e tregonte edhe vepra. Projekti që unë kam paraqitur në Teatrin Kombëtar titullohet “Asgjë veç Xhuzepes” dhe është një dramë e Aqif Mulliqit, autor nga Kosova. Kam edhe në plan të vë në skenë një komedi të Hristo Bojçev të titulluar “Njeriu i nëntokës”. Që mund ta realizoj në teatrin e Vlorës ose Fierit, janë bërë dy oferta qoftë nga ata, qoftë nga unë, kush do jetë më korrekti do të vendosë.

Sa kohë do të duhet që të realizohen këto vepra?

Vepra fillon kur ke financat. Zakonisht projekte të tilla aprovohen në fillim të vitit, ku aprovohen edhe financat, pastaj zhvillimi i projektit bëhet më vonë. Natyrisht shpresoj që veprat të marrin aprovimet përfundimtare.

Cilët janë aktorët që do të luajnë në këto vepra?

Unë e kam menduar se cilët do të jenë aktorët që do të luajnë në këto vepra, por nuk dua t’i bëj publikë sepse ndoshta vepra nuk bëhet dhe nuk dua që aktorët të zhgënjehen. Megjithatë mund të them se do të jenë, emra të njohur si: Ndriçim Xhepa apo Yllka Mujo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›