E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë; Maskat grabisin një agjenci monetare, plagosin punonjësin



Dy persona të maskuar kanë grabitur një agjenci të këmbimit valutor dhe kanë plagosur punonjësin e saj me armë. Ngjarja ndodhi në mesditën e djeshme në qytetin e Korçës. Sipas burimeve nga policia, pasi ka kundërshtuar që të japë paratë që kishte grumbulluar, 30-vjeçari Petrika Lipo është qëlluar një herë me pistoletë, duke ngelur i plagosur. Ndërkohë që dy personat e maskuar janë larguar nga vendngjarja, duke marrë edhe rreth 5 mijë euro. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, dy persona të maskuar janë futur në një pikë këmbimi valutor në qendër të qytetit të Korçës. Ata ishin të armatosur me pistoletë. Brenda ka qenë vetëm një person, Petrika Lipo, i cili punonte në pikën monetare. Nën kërcënimin e armëve, dy personat e armatosur i kanë kërkuar atij që të jepte të gjitha paratë që kishte mbledhur. Por, 30-vjeçari ka refuzuar kërkesën e tyre, madje i ka kundërshtuar ata. Nisur nga ky reagim i punonjësit, njëri prej grabitësve ka qëlluar një herë me pistoletë në ajër për të trembur punëtorin, por ky i fundit është përpjekur që të ndalojë dy autorë e grabitjes. Këta i janë përgjigjur menjëherë duke e qëlluar me pistoletë në trup. Sipas policisë, Lipo është rrëzuar në tokë duke marrë plagë të rëndë, ndërkohë që dy grabitësit kanë marrë me shpejtësi shumën e parave që ndodhej momentalisht në pikën monetare. Ata më pas kanë dalë jashtë ku po i priste një automjet me targa të huaja. Dy grabitësit kanë arritur të largohen, ndërkohë që ndaj 30-vjeçarit është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e Korçës. Nën kujdesin e mjekëve ai ka arritur që të kurohet dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka marrë dëshmitë e para. Po punohet për të identifikuar dhe vënë përpara drejtësisë personat të cilët kryen këtë grabitje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›