“Teoria e forcës”, ndërmjet PS-së dhe PD-së
Në politologji është i njohur fenomeni i demonstrimit të forcës nga ana e subjekteve politike. Madje, disa autorë si Dahl mbrojnë idenë se demonstrimi i forcës në disa raste mund të shërbejë shumë mirë për të normalizuar apo sqaruar situatën politike. Nën këtë optikë mund të legjitimohet strategjia politike e ndjekur nga dy forcat kryesore, PS dhe PD, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ku siç dihet, tashmë PS për shkak të rezultatit të zgjedhjeve po tenton të fitojë legjitimitetin e munguar brenda dhe jashtë vendit, ndërsa PD e detyruar nga loja e PS-së po synon të rikonfirmojë legjitimitetin politik. Në këtë kontekst, loja e demonstrimit të forcës që po zhvillohet në funksion të legjitimitetit, po bëhet në disa rrafshe që vlen të analizohen.
Aspekti i parë lidhet me rrafshin juridik. Siç dihet, opozita përpiqet të delegjitimojë rezultatin e zgjedhjeve duke u mbështetur në argumente të natyrës juridike. Pretendimi i saj vjen si pasojë e refuzimit të dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin e kutive në disa KZAZ. Në krahun tjetër, pozita përdor si kundërargument juridik mungesën e vërejtjeve apo shkeljeve në procesverbale nga ana e 20.000 komisionerëve socialistë, votimin 7 me 0 të rezultatit të zgjedhjeve ku marrin pjesë edhe anëtarët nga krahu opozitar, si dhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor ndaj pretendimeve të dy anëtarëve të KQZ-së. Pra, forca juridike në këtë rast përdoret si mjet për të provuar ligjshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve.
Aspekti i dytë ka të bëjë me nevojën për garantimin e legjitimitetit në nivelin institucional, brenda dhe jashtë vendit. PS e ka bazuar delegjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve tek faktorët brenda vendit dhe konkretisht, tek partitë brenda spektrit të majtë dhe disa parti në spektrin e djathtë. Por fakti që këto janë subjekte politike, gjykimi i tyre nga pikëpamja e paanshmërisë cenon deri diku vlerësimin objektiv ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Ndërkohë, PD ka zgjedhur për të fituar këtë legjitimitet, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare që janë të specializuara për vlerësimin dhe monitorimin e zgjedhjeve. Konkretisht i është referuar raportit të OSBE/ODIHR-it, si dhe atij të publikuar nga organizatat e pavarura që operojnë në vend. Gjithashtu, si burim legjitimiteti ka përdorur edhe vlerësimet dhe komentet pozitive të bëra nga përfaqësues të KE-së, PE-së, NATO-s, ambasadorë të disa vendeve etj., në lidhje me procesin zgjedhor. Pra, paanshmëria dhe kredibiliteti i institucioneve, ka përbërë diferencën ndërmjet partive në lidhje me njohjen e rezultatit të zgjedhjeve.
Aspekti i tretë lidhet me nevojën për legjitimitet popullor. PS për të siguruar këtë element zgjodhi rrugën e protestave si mjet shumë i mirë për të testuar dhe demonstruar vizualisht nivelin e mbështetjes në lidhje me kauzën e saj. Madje, PS në këtë kontekst, duke përdorur disa media pranë saj, synonte të fiksonte edhe numrin e mbështetësve, siç ishte numri i bërë publikë 100.000 persona, si e si që të impononte pretendimet e saj në qeveri dhe publik. Njëkohësisht, PD reagon me të njëjtën mënyrë duke shfrytëzuar 8 dhjetorin, ditën e Lëvizjes Studentore si momentin ideal për të demonstruar vizualisht nivelin e mbështetjes që gëzon në popull, si dhe shtyu disa media të fiksonin numrin e pjesëmarrësve, siç ishte numri 500.000 persona. Në këto kushte, aspekti sasior përdoret si taktikë presioni për të justifikuar qëndrimet respektive.
Aspekti i katërt konsiston në rrafshin e abuzivitetit me pushtetin. PS tentoi të argumentonte manipulimin e votave nga ana e qeverisë me nevojën e familjes kryeministrore, për të shfrytëzuar pushtetin në funksion të interesave të saj familjare. Kjo strategji mbeti në nivel ligjërimi publik pa u shoqëruar me fakte apo dokumente ku vërtetohej kjo tezë. Ndërkohë, që PD filloi të akuzojë z. Rama për afera korruptive, duke e emërtuar atë si përfaqësues twe “mafies së ndërtimit”. Madje bëri publike në media fakte dhe dokumente, ku vërtetohet sipas PD-së, shkalla e lartë e abuzivitetit nga ana e z. Rama me pushtetin. Madje nuk u mjaftua vetëm me akuza, por filloi që me anë të Policisë Ndërtimore të prishë disa objekte ndërtimi si taktikë për të dëshmuar momentet kur kryetari i bashkisë ka abuzuar me pushtetin. Edhe në këtë rast, diferencën ndërmjet PS dhe PD në aspektin e masës korruptive e përbën cilësia e provave të paraqitura në publik dhe tentativa për ta vërtetuar atë.
Aspekti i pestë lidhet me rrafshin etik. Opozita gjatë fushatës dhe pas saj ka vazhduar të lëshojë akuza ndaj anëtarëve të familjes së Kryeministrit Berisha, duke u futur edhe në jetën personale të tyre. Madje ngjarja e Gërdecit apo çështja “Fazlliç” u tentuan që të lidheshin me fëmijët e tij. Ndërkohë, pozita filloi të përdorë të njëjtën taktikë ndaj PS-së me një gjuhë edhe më të ashpër. Lideri i saj, z. Berisha, akuzoi publikisht liderin e PS-së për një sërë aspektesh që lidhen me çështje të aspektit moral. Në funksion të këtij sulmi personal, përfaqësues të pozitës tentuan që edhe t’i faktojnë mediatikisht këto akuza. Një strategji që dënohet në planin etik, por legjitimohet në planin politik, nëse akuzat janë të faktuara, pasi publiku kërkon të dijë edhe për aspektet personale, intime, të personave që nesër do të administrojnë fatet e tyre. Edhe në këtë plan, taktika e pozitës duket më konkrete të paktën në provat që publikon për të justifikuar sulmin e saj, ndërkohë që opozita mbetet e vakët në provat që publikon në nivelin mediatik.
E gjithë kjo strategji makiaveliste e zhvilluar nga PD-ja dhe PS-ja e vendos publikun në pozicionin e spektatorit dhe të aktorit. Në pozicionin e spektatorit, duhet të mprehë shqisën e tij kritike për të dalluar politikën që bëhet në interes të tij dhe politikën që zhvillohet në interes të individëve të caktuar. Në pozicionin e aktorit, duhet të dijë të distancohet nga veprime që nuk kontribuojnë në adresë të zgjidhjeve të problemeve të tij, por kontribuojnë në eliminimin e problemeve të individëve të caktuar politikë. Le të shpresojmë që publiku ka pasur kohën e mjaftueshme për të marrë kënaqësitë që të ofron kjo lojë politike, por njëkohësisht të ketë nxjerrë konkluzionet e nevojshme, që të mos kontribuojë më në zgjatjen e kësaj situatë, e cila nuk është në favor të tij.