E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka më shtyrje

Ashtu siç është paraparë, stinori pranveror i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll do të fillojë të mërkurën, pas një pauze të gjatë prej rreth katër muajsh.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është kategorikisht kundër shtyrjes tjetër eventuale, edhe pse shumica e fushave janë në gjendje të rëndë, derisa gjatë kësaj jave parashihet që në Kosovë të mbizotërojë mot i ligë.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu thotë se fillimi i stinorit pranveror mund të shtyhet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. “Garat do të nisin të mërkurën dhe nuk do të ketë shtyrje tjetër, përveç nëse situata është e jashtëzakonshme”, deklaroi Salihu për Express, të dielën.

“Skuadrat do të dalin në fushat e futbollit të mërkurën. Në ato fusha ku është e mundshme të zhvillohet ndeshja, nuk do të ketë shtyrje. Por në fushat të cilat janë të papërshtatshme për zhvillimin e ndeshjes, atëherë ato lojë shtyhen. Për këto vendosin gjyqtarët e ndeshjeve me të dy kapitën e ekipeve. Aty ku nuk ecën topi nga shiu apo balta, ndeshja nuk zhvillohet”, theksoi ai.

Në anën tjetër, kryesuesi i Komisionit për Inspektimin e Objekteve Sportive, Agim Maloku thotë se të hënën do të vizitohen stadiumet kosovare, dhe më pas do të dihet se cilat fusha i plotësojnë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve.

Sipas tij, disa klube të Superligës kanë kërkuar që fillimi i stinorit pranveror të shtyhet sërish, por ai tha se fjalën e fundit do ta thotë Komisioni i Garave.

“Para reshjeve të fundit, fushat kanë qenë të gatshme për t’u zhvilluar ndeshjet. Por pas këtyre reshjeve të fundit, nuk i kemi vizituar më. Një gjë të tillë do ta bëjmë të hënën. Më pas ne i vlerësojmë fushat dhe më pas Komisioni i Garave vendos se a duhet të ketë shtyrje të sërishme apo jo. Por, ka klube që sërish kanë kërkuar që ndeshjet të shtyhen”.

Edicioni pranveror ishte e paraparë të fillojë të dielën, por ditë më parë, Komisioni i Garave i FFK-së vendosi që stinori i ri të nisë të mërkurën, për shkak të gjendjes së rëndë në fushat e futbollit, si pasojë e reshjeve të shiut dhe të borës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›