Mançester Junajtid, në ankth: Runi është ende jashtë formës
Pasi ka humbur Ouenin për gjithë pjesën e mbetur të sezonit, Mançester Junajtid rrezikon të përballet me Milanin në Champions pa sulmuesin kryesor, Uejn Runin, që në “San Siro” u maskua si vrasës i kuqezinjve, duke sigluar një fitore 3-2 në favor të “Red Devils”-ave. “Uejn ka vuajtur ndeshjen e luajtur me Anglinë në ‘Uemblli’: të enjten u kthye në stërvitje dhe e kishte gjurin e ënjtur, deklaroi Ferguson. Për fat të keq, prezenca e tij është vërtet në rrezik për ndeshjen kundër Milanit, por Berbatov ka luajtur mirë kundër Uolverhempton, prandaj është shumë e mundur që të jetë ai që do të nisë ndeshjen si titullar të mërkurën”.
Por kurrë mos i beso një ujku të vjetër si Sër Aleks, që sigurisht do të kërkojë të rikuperojë Runin për ta hedhur në fushë kundër Milanit edhe pse jo në një formë perfekte, sepse numri 10 i “Red Devils”-ave është fondamental për të gjithë skuadrën, jo vetëm për golat a tij, por edhe për besimin që arrin të injektojë te shokët e tij të ekipit. Gjithsesi, Mançesteri do të duhet t’i bëjë llogaritë pa Ouen, Anderson, Gigs, O'Shi e Hargreaves, edhe pse dy të fundit janë tashmë pranë rikthimit (për ish-lojtarin e Bajernit është një lajm pozitiv, ngaqë nuk zbret në fushë që prej gati dy vitesh...). Disa dyshime ka edhe në lidhje me mbrojtësit Braun dhe Evans, disponibiliteti i të cilëve do të vlerësohet në ditët e ardhshme. Ndërkohë, mesfushori i Milanit, Devid Bekham, po e përgatit veten për një natë shumë emocionuese, kur do të kthehet në “Old Traford”, këtë herë me Milanin ndaj ish-klubit Mançester Junajtid. Bekham ka luajtur 10 sezone në Mançester, duke shënuar 62 gola në 265 ndeshje. “Ishte natë emocionuese të luaja ndaj Junajtid në Milano, por kthimi në Old Traford do të jetë edhe më shumë. Tifozët e Junajtid ishin të jashtëzakonshëm në ndeshjen e parë dhe i falënderoj për këtë. Ishte fantastike t’i dëgjoje këngët e tyre. Pa dyshim do të jetë emocionuese t’i dëgjoj ato këngë nga 70 mijë tifozë në Old Traford. Unë e kam familjen në Milano dhe ata do të vijnë në Old Traford. Babai im është tifoz i flaktë i Junajtid dhe ndoshta kjo është hera e parë, kur ai nuk do të dëshirojë që ekipi i tij të fitojë”.
#