S’ka ofertë zyrtare për Behramin

Asnjë ofertë zyrtare nuk ka arritur në adresë të Valon Behramit, konfirmon menaxheri i tij, Alessandro Beltrami. Ky i fundit ka treguar se mesfushori kosovar nuk do të ndihej keq, nëse vazhdon të luajë te West Ham Unitedi.
“Nuk ka arritur ende asnjë ofertë në tavolinë për Behramin. Ai është më shumë se i lumtur të qëndrojë te West Hami”, tha Beltrami të hënën për televizionin britanik, Sky Sports.
Të dielën, mediat britanike spekulonin se janë disa klube të nxehta që ta blejnë mesfushorin e Zvicrës. Ato madje shkruanin se Manchester United është i gatshëm të paguajë 10 milionë funte, për ta bërë të vetin mesfushorin e Gianfranco Zolas. Arsenal, Manchester City, Juventus, Lazio, e Roma, duket se e vëzhgojnë me kujdes çështjen.